Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës se pronës me normën tatimore. Normat tatimore vendosen nga komunat përkatëse.
Kjo normë është 0.15 për qind të vlerës se përgjithshme të pronës, shkruan Kosovalive.net.
Lidhur me këtë ka folur drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai ka thënë se me ligjet aktuale në fuqi e sidomos me ligjin për tatimin në pronë, Ministria e Financave ka për detyrë të bëjë rivlerësimin e pronave në Republikën e Kosovës.
“Me ligjet aktuale në fuqi e sidomos me ligjin për tatimin në pronë, Ministria e Financave përkatësisht departamenti për vlerësimin e pronës e ka obligim ligjor, se në baza disa vjeçare e ka për detyrë të bëjë rivlerësimin e pronave në Republikën e Kosovës dhe kjo vitin e kaluar ka ndodhur dhënë bazë të rivlerësimit të pronave del që qytetarët e Republikës së Kosovës faturat do t’i paguajnë më shtrenjtë se sa vitin e kaluar”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai është shprehur se komunat nuk e kanë në dorë këtë ndryshim, por kjo është vlerësim i Ministrisë së Financave.
“Komunat në përgjithësi nuk e kanë në dorë sepse norma tatimore që është kompetencë e komunave nuk është ndryshuar por vetëm ka ndryshuar vlerësimi i pronës që është bërë nga Ministria e Financave, Transfereve dhe të Punës”, është shprehur ai.
Ibrahimi: Norma e tatimit ka ardhur si format nga niveli qendror
“Qytetari mendon se komuna e ka bërë një vendim të tillë, pra qytetari do të duhet të jetë i bindur që nuk ka ndryshuar norma e tatimit por ka ndryshuar vlera e pronës të ardhur si format nga niveli qendror. Rruga më e duhur që e prek xhepin e qytetarit e që ka të bëjë me komunën, duhet së pari të konsultohen me komunat”.
Ai thotë se në këtë rast komunat kanë qenë vetëm të njoftuar nga ministria për këtë proces por nuk kanë qenë të involuar në këtë proces, e disa komuna kanë pasur ankesa dhe kanë kërkuar edhe një rivlerësim që të jetë me objektiv e disa komuna nuk janë marr parasysh, e për disa komuna niveli qendror nuk ka interesim për përcaktimin e vlerave të pronave.
Ibrahimi thotë se Ministria e Financave do të duhet t’i fton këto komuna për konsulta sa i përket këtyre ndryshimeve.
“Ministria e Financave do të duhet t’i fton këto komuna për konsulta sa i përket këtyre ndryshimeve sepse komunat janë hisedarë në këtë proces edhe pse komunat janë të ndara shumë mirë e janë të qarta e duhet të jenë të involvuara në proces. Në takimin e radhës që e kemi me kryeministrin, pavarësisht kur do të ndodhë, këto shqetësime do të paraqiten para kryeministrit dhe ministrave. Prandaj, çdo ndryshim i procedurave apo tatimeve, e tash që e kemi tatimin në pronë është dashur që paraprakisht të konsultohen e të njoftohen komunat, sepse qytetari për çdo ndryshim shkon tek komuna dhe kërkon llogaridhënie sepse mendon që gjithçka që ka të bëjmë me jetën e qytetarit niveli lokal është kompetent dhe përgjegjës”, ka thënë Ibrahimi./Kosovalive.net/