Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot ka deklaruar se tatimi në pronë mbledhet nga komunat e Kosovës, derisa është shprehur se normat e tatimit në pronë i caktojnë komunat.
Ai në mbledhjen e kuvendit komunal, ka potencuar se komuna e Gjakovës normën tatimore e ka 0.15 për qind, e njëherit më të ultën që lejohet ta ketë sipas ligjit.
“Normat e tatimit në pronë i caktojnë komunat domethënë përqindjen e caktojnë komunat, mirëpo e kanë mundësinë me shku prej 0.15 deri në 1. Domethënë këto janë mundësitë e komunave, nuk mujnë me shku ma poshtë se zero 15 edhe nuk mujnë me shku ma shumë se 1 për qind të vlerës, të cilën e ka prona, e atë vlerësim nuk e bën komuna. Komuna e Gjakovës normën tatimore e ka 0.15 për qind, domethënë ma të ultën që lejohet me pasë sipas ligjit. Vlerësimin e pronës për pronat e bën Ministria e Financave, jo komuna, as komuna e Gjakovës, as asnjë komunë tjetër. Vlerësimi i pronës ka procedura përmes së cilave kryhet, mirëpo në bazë të vlerës së pronës për secilën pronë ose për secilën zonë, të cilën e nxjerr Ministria e Financave, ajo vlerë shumëzohet me normën, domethënë me 0.15 për qind ose me 1 për qind. Nëse e mbajmë 1 për qind për me sqaru edhe nje pronë vlerësohet që e ka vlerën 100 mijë euro, atëherë paguan 1 mijë euro në vjet, nëse është 0.15 për qind atëherëë pagun 150 euro në vit.”, ka thënë ai.
Gjini ka bërë të ditur se në vitin e kaluar, komuna e Gjakovës e ka marrë raportin nga Ministria e Financave, të cilin, është shprehur se e kanë kthyer në Ministri të Financave, me të cilin, sipas tij, u kanë tërhequr vërejtjen se nëse vlerësimet e tilla mbesin në fuqi, rritja e vlerës së tatimit në pronë do të jetë shumë e madhe.
Ai ka theksuar se kërkesa e tyre edhe private ka qenë të shkohet në norma graduale ose të ndryshohet ligji dhe t’iu lejohet komunave të lëvizin me përqindje.
“Na e kemi të qartë se vlerësimi duhet me u bo, e kemi të qartë që në zona të caktuara në Gjakovë, edhe në Kosovë, vlerësimi, i cili ka qenë për pronën ka qenë shumë ma i ulët se realisht që është, domethënë që të mos kemi keqkuptime. Mirëpo, na e dimë që e kemi një histori interesante këtu, mundet me ndodh që një shtëpi është ndërtu në vitet 70-të ose një banesë është ble në vitet 80-të, në qendër të qytetit edhe në atë banesë sot munden me jetu një çift që jonë në penzion. Kosova nuk e ka të rregullum tregun e patundësive, në mënyrë që ata që i kanë veç dy pensione edhe jetojnë në qendër të qytetit me mujt me shitë shpejt edhe me ble diçka të lirë. Nuk mujnë edhe me dashtë. Edhe normat tatimore që kanë ardhë ju rrënojnë buxhetin seriozisht. Kërkesa jonë edhe private ka qenë me shku në norma graduale, për shkak se është rritje e madhe ose fillimisht me ndryshu ligjin edhe me i leju komunat me lëviz me përqindje, me norma edhe ma poshtë se zero 15-shi. Asnjana nuk është leju edhe situata është kësisoj.”, ka nënvizuar ai, duke thënë se kanë reaguar, por s’kanë marrë përgjigje.
Nëse nuk rishikohen normat, Gjini ka lutur qytetarët e Gjakovës që të mos bien pre e situatave, siç ka shtuar ai, që mund të jenë të paqarta për ata.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, të marten ka reaguar lidhur me çmimin e rritjes së tatimit në pronë. MF ka potencuar se tatimi në pronë është tatim, i cili mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për komunat.
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka ftuar për ditën e premte ministrin e Financave, Hekuran Muratin për të raportuar në komision lidhur me ngritjen e çmimit të bazës tatimore në pronë në 100 për qind. Komisioni ka vendosi që mbledhja me ministrin Murati të mbahet të premten në orën 13:30.
Për shtrenjtimin e tatimit në pronë ka pasur kritika këto ditë nga deputetë të opozitës dhe shumë qytetarë.