Një lojë e rrezikshme, që realizohet nga tre persona, së fundmi është bërë trend në shkolla të shumë vendeve të ndryshme të botës. Loja që po rrezikon seriozisht jetën e nxënësve, mund të bëhet trend edhe në shkollat e Kosovës, ndaj për këtë është shpërndarë një video te prindërit dhe shkollat qe të kenë kujdes më shumë ndaj fëmijëve dhe nxënësve.
Praktikimi i kësaj loje mund të jetë mjaft i rrezikshëm. Madje në Kosovë, kjo video është shpërndarë edhe në grupe të rrjeteve sociale ku kanë qasje edhe fëmijët.
Për t`i vetëdijesuar fëmijët lidhur me rreziqet nga kjo lojë, u ligjërua edhe në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.
Mësimdhënësja Naxhije Fejzullahu u tregon nxënësve për pasojat e mundshme.
“Kemi rastin e fundit ku po qarkullon një video me një lojë me nxënësit që mund ta rrezikojnëjetën e tyre. Sapo e kam parë i kam njoftuar nxënësit për rreziqet që mund të kenë nëse e prakitojnë atë lojë”, thotë mësimdhënësja Naxhije Fejzullahu.
Njëra prej nxënësve tregon se ishte dëshmitare e një prej rasteve të tilla.
“Ishin tri vajza dhe i kanë thënë njërës, kërce lart. Ajo ka kërcyer dhe ato tjerat ia kanë prekur këmbët. Ajo u rrezua në tokë, e aty ishte çimet. I ka humbë vetëdija dhe pastaj e di që ka shkuar në spital”, thotë kjo nxënëse për RTK-në.
Drejtori i kësaj shkolle, Visar Osmani, tha se kanë ndërmarrë masa ndaj nxënësve që kanë qasje në përmbajtje të tilla në telefon.
“Është një fakt shqetësues se kemi parë lojëra të rrezikshme që praktikohen nga ana e adoleshentëve dhe si shkollë kemi organizuar tribuna nga psikologu, sociologu për qasjen në përmbajtje të tilla”, thotë Osmani.
“Por çelësi kryesor është pakujdesia e prindërve që nuk ia kufizojnë përdorimin e telefonave”.
Në lidhje më përdorimin e telefonave dhe rrezikun ndaj këtyre videove, folën edhe prindërit.
“Fëmija im e përdorë 2 orë në ditë telefonin. Kjo lojë është shpërndarë në viber dhe e kam parë të rrezikshme dhe i kemi paralajmeruar fëmijët për rrezikun”, thotë ky prind për RTK-në.
Se si ndikojnë këto video te nxënësit, foli psikologu dhe sociologu Besnik Peci.
“Jemi deshmitarë që në kohën e fundit po promovohen disa lojra te rrezikshme që nuk kanë synim relaksimin, socializimin dhe zhillimin kognitiv, por bullizmin dhe me këtë rast jo vetëm prindërve, por edhe institucioneve u rekomandoj për kujdes në mos promovimin e këtyre lojërave që dëmtojnë personalitetin e fëmijëve”, thotë Peci për RTK-në.
Video virale ku shihet se si luhet një lojë e rrezikshme nga tre persona, është bërë trend në shkolla të shumë vendeve të ndryshme të botës, ku praktikimi i saj konsiderohet se mund të rezultojë edhe me fatalitet.