Live

Ata që dikur mbajtën çekiçin e drejtësisë, sot ulen në bankën e të akuzuarve

12:45 / 29 Janar 2023

Nga Kosova Live

“Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit dhe marrjes së vendimeve janë të pavarur, të paanshëm, të pandikuar në çfarëdo mënyre nga asnjë person fizik apo juridik, përfshirë edhe organet publike”, kështu përkufizohet në ligjin për gjykatat.

Ndonëse të thirrur për të ndarë drejtësinë, ka prej atyre që ulen vetë në bankën e të akuzuarit. Jo si qytetarë të thjeshtë, por duke ushtruar njërin ndër profesionet më të rëndësishme të një vendi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me forcën e ligjit po përballen katër ish-gjyqtarë, që dikur kanë pasur në dorë çekiçin e drejtësisë në Kosovë.

Për tre prej tyre, këtë vit dhe vitin që lamë pas gjykata e shkallës së parë ka marrë aktgjykime dënuese.

Më 23 janar 2023, ish-gjyqtari  Lekë Prenaj, u dënua me 6 muaj burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ndërsa, është liruar nga pika tjetër e aktakuzës për legalizim të përmbajtjes së rreme

Sipas aktakuzës, Prenaj në cilësinë e gjyqtarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Civil, kishte tejkaluar kompetencat kur kishte marrë vendim gjyqësor në lidhje me pronën e “Radio Televizionit të Prishtinës”, duke e ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme e Republikës së Kosovës, kurse për menaxhimin e këtyre pronave kompetente është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Bashkë më gjykatësin Prenaj, u dënuan edhe Hilmi Kastrati, ish-kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, Shkumbin Qehaja dhe Shpëtim Pllana.

Gjykata, Hilmi Kastratin e gjeti fajtor për veprën penale veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe i shqiptoi dënim unik prej 10 muajsh me burg.

Ndërsa, Shkumbin Qehajën e Shpëtim Pllanën, të cilët akuzoheshin për legalizim të përmbajtjes së rreme në bashkëkryerje, gjykata i dënoi me nga 6 muaj burg.

Të akuzuarit janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor, secili veç e veç të paguajë shumën prej 100 euro, dhe secili veç e veç të paguajë shumën prej 50 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës, Hilmi Kastrati, si  kryetar i Bordit ekzekutiv të drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, duke e ditur që N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës” gjendet në menaxhim dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, më 24 maj 2018 e ka përpiluar përgjigjen në padi me nr.C.Nr.3159/17 për vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen “Veternik”, Zona Kadastrale në Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja.

Kurse, Kastrati thuhet se kishte nënshkruar autorizimin përmes të cilit ka autorizuar Shpëtim Pllanën, jurist nga Prishtina, që kontestin sipas padisë së lartcekur ta përfaqësojë N.Sh., Radio Televizionin e Prishtinës, në Gjykatën e Prishtinës.

Në aktakuzë thuhet se Lekë Prenaj në njërin prej shqyrtimeve gjyqësore kishte nxjerrë aktvendim, me të cilin miratohej pajtimi gjyqësor mes përfaqësuesve të palëve, avokatit Shefki Syla në emër të paditësit, Shkumbin Qehaja, dhe Shpëtim Pllana në emër të së paditurës N.Sh., Radio Televizioni i Prishtinës, duke vërtetuar kështu se pronari i ngastrës së lartcekur në lagjen “Veternik”, është paditësi Shkumbin Qehaja, ndonëse të gjithë të akuzuarit e kanë ditur se Qehaja nuk e ka të drejtën e pronësisë.

Më 24 tetor 2022, u dënua një tjetër ish-gjyqtar. Bëhet fjalë për Kolë Pukën, të cilin Gjykata Themelore e Prishtinës, e ka dënuar me dënim unik prej 10 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit Puka iu shqiptua edhe dënim plotësues, konfiskimi i shtëpisë me shënime si në certifikatën e lëshuar në Prishtinë, më 18 janar 2008. Kurse, u refuzua propozimi i dytë i prokurorisë, për kthimin e mjeteve në shumë prej 30 mijë euro personit tjetër, meqë konsiderohet si i pabazë.

I njëjti detyrohet t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 100 euro dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Ish-gjyqtarin Puka, Prokuroria e akuzoi për shpërlaje parash që nga 4 gushti 2014. Sipas aktakuzës, ai është marrë me aktivitet kriminal në periudhën 2002-2009, duke keqpërdorur pozitën e gjyqtarit pranë Gjykatës Komunale në Klinë, dhe kështu ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe.

Në aktakuzë thuhet se ish-gjyqtari Puka, më qëllim që ta fshehë dhe maskojë pasurinë e përfituar në mënyre kriminale, ka blerë patundshmëri më 4 prill 2008, në Gjykatën Komunale në Prishtinë ka vërtetuar kontratën mbi shitblerjen e patundshmërisë në vlerë prej 35 mijë euro.

Tutje, në aktakuzë thuhet se për të humbur gjurmë më tepër lidhur me këtë patundshmëri, në bashkëpunim me babanë e tij, të akuzuarin Z.P, i njëjti e kishte evidentuar patundshmërinë në emër të babait.

Sipas prokurorisë, me këtë në bashkëkryerje të akuzuarit Puka kanë kryer veprën penale, “Shpëlarja e parasë” nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Ndaj, Z.P kishte pushuar procedura, pasi i njëjti ka ndërruar jetë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Puka, me qëllim të fshehjes së pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal, më 8 qershor 2007, ka blerë një banesë në Pejë, të cilën më 9 tetor 2007 ia kishte shitur Jeton Abazit në shumën prej 8 mijë euro.

Po ashtu, i akuzuari Kolë Puka, më 20 shkurt 2007, ashtu siç përshkruhet në aktakuzë, ka blerë patundshmërinë nga Bora Abazi në vlerë prej 38 mijë euro (ku 8 mijë euro është llogaritur banesa që ia ka shitur Jeton Abazi, ndërsa 30 mijë euro i ka dhënë të holla).

Aktakuza thotë se Puka, se duke dashur që ta fshehë burimin e mjeteve financiare të përfituara nga aktivitetet kriminale, të njëjtën patundshmëri më 17 prill 2009 përmes kontratës të vërtetuar në Gjykatën Komunale në Klinë, ia ka shitur Kolë Duhanajt në vlerë prej 30 mijë euro.

I akuzuari Kolë Puka, për këto veprime akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parasë” nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5, dhe 2.6 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Në një “shtrat” me krimin akuzohen të kenë hyrë edhe gjyqtarët Rafet Ismaili e Sali Berisha, për të cilët vazhdoi gjykimi në vitin 2022.

Rafet Ismaili, si ish-gjyqtar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, në shkurt të vitit që lamë pas, u dënua për herë të dytë për korrupsion, bashkë më të edhe ish-polici Blerim Gashi.

Ismali e Gashi, u dënuan me nga 20 muaj burgim dhe me nga 1 mijë euro gjobë, si dhe u obliguan të paguajnë edhe shpenzimet gjyqësore, shumën prej 100 euro për paushallin gjyqësor dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 mars 2020 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Rafet Ismaili në cilësinë e gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe Blerim Gashi në cilësinë e zyrtarit policor, kanë kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi”.

Ndaj vendimit të 11 shkurtit 2022, ish-gjyqtari Ismaili e ish-polici Gashi, janë ankuar në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar lirimin nga akuzat apo rasti të kthehet në rigjykim.

Në anën tjetër, ashpërsim të dënimit po kërkon Prokuroria.

Kjo nuk është hera e parë që ndaj vendimit të gjykatës së shkallës se parë bëhet ankesë në gjykatën e shkallës së dytë, atë të Apelit.

Për këto akuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020 kishte marrë aktgjykim dënues ndaj tyre, duke shqiptuar dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me 2 mijë euro gjobë, për secilin veç e veç.

Gjykata, atyre u kishte shqiptuar edhe dënime plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh, pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit.

E pakënaqur me dënim e shqiptuar, PSRK kishte ushtruar ankesë mbi lartësinë e dënimit, me të cilën kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që ndaj tyre të shqiptohen dënime më të ashpra.

Kurse, Gjykata e Apelit më 22 prill 2021, pas ankesës, vendimin e shkallës së parë e kishte anuluar dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimin mbi dënimin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj gjyqtarit Ismaili e policit Gashi.  2

Aktakuza thotë se Ismaili, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

Sipas aktakuzës, ish-gjyqtari Ismaili më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që ai të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Kjo më qëllimi që ky i fundit të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të 26 korrikut 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet 10 muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërsa, thuhet se ish-polici Gashi në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror me pretendimin se është në gjendje të ushtrojë ndikimin e tij të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës. Dhe kështu, aktakuza thotë se nga dëshmitari F.Z, ka marrë 1 mijë euro.

Sali Berisha, akuzohet se si gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar ryshfet prej 2 mijë euro, në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Gjatë vitit 2022, nga monitorimi që “Betimi për Drejtësi”, i ka bërë këtij rasti, janë mbajtur 10 seanca gjyqësore, ndërsa janë shtyrë 6 seanca.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sali Berisha, më 19 shtator 2019, ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, Këtë sipas prokurorisë e kishte bërë pasi ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “Kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z,  dhe kështu, i akuzuari Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.

Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, është duke u akuzuar se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishekë, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë.

Gjykatësi Berisha, në dhjetor të vitit 2019 ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak, pas 3 muajve qëndrim në paraburgim.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator 2019, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit.

Rastet e ish-gjyqtarëve nuk janë të vetmet që u gjykuan dhe po vazhdojnë të gjykohen. Me drejtësinë po përballen edhe ish-sekretari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, bashkë me Ardian Krasniqin, Marigona Berishën dhe Flora Dodën, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Falsifikim të dokumenteve zyrtare”,

Këto ishin disa nga rastet, të cilat “Betimi për Drejtësi” i ka monitoruar dhe ka raportuar në vazhdimësi.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë të ditur se në 5 vitet e fundit janë gjithsej tre gjyqtarë ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza dhe janë të suspenduar deri në një vendim tjetër të Këshillit.

“Natyra e veprave penale ka qenë Keqpërdorim i detyrës zyrtare nga neni 414 paragrafi1, të KPRK-së, neni 422 paragrafi1, të KPRK-së dhe Legalizim i përmbajtjes së rreme nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, ka thënë zëdhënësja Aishe Qorraj-Berisha, teksa ka shtuar se nuk ka zyrtarë me pozita udhëheqëse që kanë lëndë aktive në gjykata.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar të dijë edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nëse ka prokurorë dhe zyrtarë tjerë të akuzuar, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje. 

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...