Ishte tetori i vitit 2020 kur deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, shprehte mendime mjaft ogurzeza për Kosovën e të cilat fatkeqësisht del se tashmë janë bërë realitet. Por, ai akuzonte Avdullah Hotin – kryeministrin e atëhershëm – për një gjë të tillë.
Zhvillimet në lidhje me Asociacionin janë bërë më dramatike se asnjëherë. Në anën tjetër, plani franko-gjerman është konsideruar nga kryeministri Kurti si bazë e mirë për ecje përpara.
Por, ky plan nuk përmban njohjen nga Serbia derisa kërkon respektimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në bazë të raportimeve mediale.
Pikërisht për një gjë të tillë në tetorin e vitit 2020, Armend Muja e akuzonte Qeverinë Hoti.
Ai shprehej se implementimi i Asociacionit do të bëhej pa njohje nga Serbia.
“Debati real në BE është se Kosova duhet ta implementoj Asociacionin pa njohje.” – thoshte Muja në Debat Plus.
Ndërkohë, dikur Muja kishte qëndrim krejtësisht tjetër për Asociacionin.
“Në mendjen e kërkujna nuk ekziston nëse duhet të ketë (Asociacion) por çfare duhet të jetë. Në një farë mënyre mu nuk më pëlqej vendimi i Gjykatës Kushtetuese sepse është shumë ambiguoz… Unë dyshoj nëse ka qenë më i mirë… Qeveria (Mustafa) ka shumë legjitimitet, madje është më legjitimja që nga paslufta…” – thoshte ai duke i goditur ashpër edhe partitë opozitare të asaj kohe, Vetëvendosjen, AAK-në dhe Nisman.
Por, ja çfarë tha para disa ditësh:
“E dyta ka qenë të gjitha ato përpjekjet për formimin e ‘Zajednicës’, të cilat ne i kundërshtojmë, ‘Zajednicë’ në Kosovë nuk do të ketë. Në këtë aspekt ka qenë detyrë e jona që të forcohet pozicioni i Kosovës sidomos në orientim ndaj projekteve të integrimit Evropian.”/Nacionale.com/