Me 6 janar në Shtërpcë dy të rinj serbë u plagosën me armë zjarri.
Për këtë rast, Policia e Kosovës arrestoi Azem Kurtaj, ushtar i FSK-së që po vazhdon të mbahet në paraburgim, shkruan kosovalive.net
Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Kurtaj ishte fjalosur me serbët para se të gjuante me ta dhe se sipas komunikatës së Prokurorisë, i dyshuari ka tentuar me dashje t’i privoj nga jeta dy të rinjtë.
Avokati i ushtarit të FSK-së, Azem Kurtajt, Naim Ferati, kishte treguar për ngjarjen.
“Të premten pasdite i mbrojturi im së bashku me mikun e tij ishin duke udhëtuar për në Brezovicë, papritmas gjatë rrugës në një vend të caktuar, bllokohen nga një turmë e njerëzve, të cilët po festonin dhe në befasi sulmohen me mjete”, ishte shprehur Ferati.
Ferati potencoi se Kurtaj është detyruar të gjuajë edhe njëherë drejt tokës, dhe në ato momente është larguar nga vendi, pasi qe sipas tij, i informuar se dikush mund të jetë lënduar.
“Në bazë të rrezikut, i njëjti ka provuar të largohet, ka qenë i bllokuar nga turma vetura e tij, në vetëmbrojtje me qëllim të spostimit apo të largimit të rrezikut, ka shkrepur një herë me armën e tij që e kishte në posedim, armën e tij personale. Ka shkrepur njëherë në ajër, që të largohet masa. Për shkak të rrethanave dhe të sulmit që ka pësuar në ato momente, i njëjti është detyruar që të shkrepë edhe njëherë në drejtim të tokës, këtë rast drejt asfaltit, dhe në ato momente ka arritur të largohet nga vendi, pa qenë i informuar se dikush mund të jetë i lënduar. Ka shkuar në Prevallë, dhe nga rrjetet sociale ka kuptuar se dikush mund të jetë lënduar”, kishte thënë ai.
Kosovalive.net ka siguruar një dokument, ku tregohet se Kurtaj ishte një gjuajtës tejet i shkathët, duke dëshmuar se nëse do të kishte tentuar t’i vriste të plagosurit, do të mund ta kishte bërë.
Por, qëllimi i Kurtaj ishte vetëmbrojtja dhe se gjuajtjet me armë detyrimisht i kishte bërë drejt tokës, për të shpërndarë turmën që ia kishin bllokuar rrugën dhe po tentonin ta sulmonin me mjete të ndryshme.
Këtë rast më të dyshimtë e bën edhe ndryshimi i deklartës së nënës së njërit nga viktimat.
Zorica Stojanoviq, e ëma e 11-vjeçarit të plagosur, fillimisht pas rastit kishte thënë se rasti s’kishte ndodhur me qëllim dhe se ushtari i FSK-së kishte gjuajtur në drejtim të tokës pastaj plumi i ishte kthyer të birit të saj.
Por, disa ditë pas rastit, në një intervistë për Kosovo-Online ajo ndryshoi deklaratën duke thënë se ushtari i FSK-së, Azem Kurtaj ka tentuar ta vras djalin e saj.
Ndryshimin e deklaratës e kishte arsyetuar se donte të zbuste situatën./kosovalive.net/