Kundërshtimi i reformës në pensione paralizoi mbarë Francën. Greva janë mbajtur në të gjithë vendin, në valën e dytë të protestave kundër presidentit, Emmanuel Macron, i cili do të rrisë moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.
Tetë sindikata të mëdha po marrin pjesë në këto greva, të cilat kanë sjellë mbyllje të disa shkollave, bllokim dhe probleme të tjera në linjat e transportit publik dhe në rafineritë e naftës.
“Punëtorët e ndërtimit nuk mund të punojnë dot deri në moshën 64 vjeçare. Duhet të marrim parasysh vështirësinë e punës. Për presidentin është e lehtë, pasi ai ulet në një karrike dhe mund të punojë edhe deri në moshën 70 vjeç,” u shpreh Ikeolis Atlantique, shofer autobusi.
“Mendoj se udhëtarët nuk duhet të ndikohen, qeveria duhet të jetë ajo që duhet të shqetësohet, nëse grevistët duan të ndryshojnë vërtetë diçka,” thotë Axel Gaillard, student.
Sipas vlerësimeve më shumë se 1 milionë francezë u janë bashkuar manifestimeve dhe grevës. Sindikatat pretendojnë se gjysma e mësuesve u janë bashkuar atyre, por ministria e arsimit thotë se numri ishte vetëm çereku i arsimtarëve në total.
Pavarësisht kundërshtive të forta dhe sondazheve që sugjerojnë se dy të tretat e votuesve në Francë janë kundër ndryshimeve, qeveria Macron po vijon ta shtyjë përpara këtë reformë.
Por, pa një mazhorancën në parlament, presidenti duhet të mbështetet në republikanët e djathtë për ta kaluar reformën në Asamblenë Kombëtare.