Kremlini ka thënë se ShBA-ja do ta përshkallëzojë luftën në Ukrainë, megjithëse nuk do të ndryshojë kursin e saj, nëse e furnizon Ukrainën me raketa me rreze më të gjatë veprimi, si pjesë e një pakete të re ndihme ushtarake që thuhet se po përgatitet.
“Po, kjo është një mënyrë e drejtpërdrejtë për të përshkallëzuar tensionet, për të rritur nivelin e përshkallëzimit, ne mund ta shohim këtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shkruan AlJazeera, përcjell Kosovalive.
“Kjo kërkon që ne të bëjmë përpjekje shtesë, por, edhe një herë, nuk do të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Operacioni special ushtarak do të vazhdojë”, shtoi ai, duke përdorur frazën e Kremlinit për ofensivën e tij në Ukrainë.