Live

Mesiq i reagon Milanoviqit: Kosova kishte të drejtën për pavarësi si të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë

15:21 / 01 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, ka demantuar narrativen dhe deklaratën kontraverese të presidentit aktual të Kroacisë, Zoran Milanoviq se “komuniteti ndërkombëtar e kishte aneksuar Kosovën nga Serbia” dhe se “Kosova i është rrëmbyer me forcë Serbisë”.

Stipe Mesiq i ka thënë Gazetës Express se Kosova ka qenë pjesë përbërëse e Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes si të gjitha pjesëve të tjera përbërëse i ishte dhënë e drejta për pavarësi, përcjell Reporteri.net.

Ish-kreu i shtetit kroat ka thënë se një fakt i tillë ishte pranuar edhe nga Komisioni i Badinterit dhe Kosova ishte pranuar me kufijtë të cilët i ka pasur në ish-Jugosllavi.

Në fund Mesiq thotë se kur Serbia e sulmoi Kosovën, NATO ishte vënë në lëvizje për ta ndihmuar Kosovën.

“Kosova ishte pjesë përbërëse e Jugosllavisë, dhe këto pjesë ishin 6 republika dhe 2 provinca. Kur u shpërbë Jugosllavia, të gjitha pjesët përbërëse patën të drejtën e tyre për pavarësi, ky fakt ishte pranuar nga Komisioni i Badinterit dhe Kosova ishte pranuar në kufijtë që i ka pasur në ish-Jugosllavi. Kur Serbia e sulmoi Kosovën, NATO i ndihmoi ata”, ka thënë Mesiq

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq në një deklaratë për media të hënën ka tërhequr paralele ndërmjet aneksimit të Krimeas nga Rusia dhe pavarësimit të Kosovës nga Serbia duke thënë se komuniteti ndërkombëtar e “kishte rrëmbyer” Kosovën nga Serbia.

“Kush e aneksoi Kosovën? Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë neve”, ka thënë Milanoviq të hënën teksa fliste për luftën në Ukrainë.

Sipas tij “Kosova ishte marrë me forcë nga Serbia”

“Kosova i është marrë Serbisë me dhunë, është nxjerrë, është marrë një pjesë e territorit serb”, është deklarata vijuese e Milanoviq që u konsiderua një skandal diplomatik.

Kundër kësaj deklarate kishte reaguar edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic duke thënë se deklaratat e Milanoviq s’janë qëndrim politik i Kroacisë.

“Sa i përket deklaratave të presidentit për çështjen e Kosovës, Kroacia e ka përcaktuar qartë veten dhe ajo që tha ai nuk është qëndrim politik i vendit. Kosova është shtet i pavarur, shtet i njohur nga Kroacia dhe shtet me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike”, ka thënë Plenkoviq.

Ky deklarim i tij ka nxitur reagime të shumta. Ish-kreu i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj ka thënë se deklarata e Milanovic është një marrëzi dhe si e tillë duhet të injorohet. Hoxhaj për “Vercenji list” ka thënë se deklarata e Milanovic ngjason më shumë me konstatim të Akademisë Serbe apo Kishës Ortodokse se sa të një presidenti të një shteti mik të Kosovës.

“Deklarata e presidentit kroat është një marrëzi që duhet refuzuar si të tillë sepse shtrembëron shumë të vërteta historike dhe politike. Ajo deklaratë më shumë i ngjanë një konstatimi të Akademisë serbe apo Kishës Ortodokse Serbe se sa një presidenti të një vendi mik të Kosovës sikurse është Kroacia”, ka thënë Hoxhaj për mediumin kroat.

Kroacia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur më 19 mars 2008. Të dy shtetet kanë raporte tejet të mira diplomatike.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...