Presidentja Vjosa Osmani po qëndron për vizitë pune në Islandë.
Përmes një njoftimi në Facebook, Osmani ka thënë se me kryeministren e Islandës diskutuan edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Sot në Rejkjavik, bashkë me kryeministren e Islandës, Katrín Jakobsdóttir, diskutuam intensifikimin e bashkëpunimit me Islandën në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët, e në veçanti gjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës. Shtyrja përpara e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është e një rëndësie të veçantë, meqë nga kjo do të përfitojnë të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”.
Presidentja ka thënë se populli ynë i është mirënjohës Islandës për mbështetjen ndër vite.
“Populli i Kosovës i është gjithnjë mirënjohës Islandës për mbështetjen e palëkundur përgjatë viteve, ndërsa bashkërisht, në frymë të vlerave të përbashkëta demokratike, do të vazhdojmë ta forcojmë partneritetin ndërshtetëror”.
Ndryshe, kjo është vizita e parë dypalëshe e një presidenti të Kosovës në historinë e raporteve në mes Islandës dhe vendit tone.