Live

Skender Hyseni: Kushtet e Kurtit për Asociacionin janë qesharake, ai po mashtron dhe manipulon opinionin

16:04 / 02 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar sot para deputetëve në Kuvendin e Kosovës për Asociacionin.

I pari i vendit i ka nxjerrë 6 pika në Kuvend si kushte për themelimin e Asociacionin.

Pikat e propozuara nga Kurti, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, i ka vlerësuar qesharake.

Hyseni ka thënë që sipas logjikës së kryeministrit edhe Kosova është monoetnike.

Ai thotë se Kurti po mashtron opinionin për Gjykatën Kushtetuese që kinse ka hedhur poshtë Asociacionin.

“Argumentet” e Kurtit kundër Asociacionit së bashku me kushtet, janë qesharake. Ai mashtron opinionin vendor kur thotë që Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë Asociacionin. Kjo është gënjeshtër. Ai po ashtu manipulon kur thotë Asociacioni është një-etnik, sepse nuk është. Me vet faktin që thuhet komunat me shumicë serbe do të thotë që ne ato komuna ka edhe pjesëtarë të etnive tjera. Sipas logjikës së Kurtit edhe Kosova është monoetnike sepse është 92% shqiptare. Por ja që edhe Kosova është multietnike sepse ka një 8% të etnive tjera”, u shpreh Hyseni.

Hyseni: Kurti do ta themeloj Asociacionin, ikja nga ky obligim është katastrofal për Kosovën

Ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni ka thënë se kryeministri i Kosovës, do ta themelojë Asociacionin.

Sipas Hysenit, ikja nga ky obligim është katastrofal për vendin.

Ai ka hedhur akuza ndaj Kurtit, pasi sipas tij, ky i fundit ua ka shpërlarë trurin partisë së tij me gënjeshtra.

“Natyrisht që Kurti do ta themelojë Asociacionin, sepse ikja nga ky obligim është katastrofal për Kosovën. Kushtet që ai deklaroi sot, kanë qenë aty edhe pa Kurtin. Por, ai po vazhdon si duket të mendojë që e gjithë bota i beson gënjeshtrat e tij, ashtu siç bëjnë këta të VV-së, të cilëve duket sikur ua ka shpërlarë trurin. Dorëzimi i armëve ilegale është kusht qesharak nëse lidhet me themelimin e asociacionit, sepse është obligim ligjor i Qeverisë. Po, le të më lejohet të them këtu se e gjithë kjo “fiskulturë” komike e Kurtit konsiston në përpjekjen e tij dëshpëruese për ta paketuar dhe shitur themelimin e asociacionit para militantëve të partisë së tij”, theksoi Hyseni për Front Online.

Hyseni theksoi se Asociacioni është obligim ndërkombëtar, duhet të zbatohet.

“Që nga ardhja e Kurtit në pushtet, e kam përsëritur vazhdimisht dhe me bindje se asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar dhe si i tillë, deshëm nuk deshëm, ai detyrim ndërkombëtar do të zbatohet”, thotë Hyseni.

Skender Hyseni: Kurti dhe Osmani e kanë kthyer Kosovën në pikën zero

Ish-ministri Skender Hyseni ka kritikuar edhe presidenten Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se Kurti dhe Osmani pa dije dhe guxim, Kosovën e kanë kthyer në pikën zero.

“Në ndërkohë, Kryeministrit Kurti dhe Presidentja Osmani demonstruan pazotësi akute për të lexuar dhe kuptuar qartë porositë e mbështetësve kryesor të Kosovës në botë. Kjo u pa sidomos me veprimet dhe kryeneçësinë në veri të vendit. Ata, pra Kurti dhe Osmani, pa vizion, pa guxim dhe pa dije kthyen Kosovën pothuaj në pikën zero”, përfundoi Hyseni për Front Online.

Këto janë gjashtë kushte që propozoi Kurti, sipas të cilave, mund të formohet Asociacioni:

1.Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

2.Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas kushtetutës

3.Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4.Para vendosjes së asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5.Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Kosovën.

6.Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-se për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...