Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, sot është zgjedhur Kryetar i Bordit të Forumit Investues të Dhomave të Ballkani Perëndimor.
OEK ka bërë të ditur se në mbledhjen e mbajtur në Podgoricë, Mal i Zi, Rafuna ka marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Bordit, përcjell Kosovalive.
“Kryetari Rafuna u zotua se do të vazhdojë punën e nisur e që ka për qëllim të ndihmojë bizneset e rajonit që të thellojnë bashkëpunimin dhe të zgjerojnë pjesëmarrjen në tregjet e BE-së e të botës”.
“Forumi Investues (Western Balkans 6 Chambers Investment Forum – WB6CIF) është institucion i themeluar nga odat ekonomike e tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim që të shtojë bashkëpunimin ekonomik dhe të ndihmojë në tërheqjen e investimeve në rajon”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.