Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se Qeveria Kurti e ka skandalin më të madh me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ismaili tha se është çudi se si mund të ndodh që një njëri që paguhet, sipas tij, direkt nga Serbia, tërheq 4.5 milionë euro e të vazhdojë të mbetet ambasador i Kosovës.
“Nga Beogradi, një kompani serbe, me filiale të Serbisë, ka paguar një ambasador të Kosovës miliona euro. Ato miliona euro janë tërhequr nga bankat, janë vendosur në çanta dhe janë dërguar diku”.
“Në këtë situatë, 4 milionë euro të tërhiqen nga ambasadori, nga Serbia. Po të ishte nga Gjermania apo Zvicra, do të thoshe ‘shiko, është korrupsion, 100 për qind është korrupsion, por të paktën ose do të reagojë Zvicra ose Gjermania’”.
Tutje, ai tha se kompania që e ka pasur Martin Berishaj është prototip i kompanive për shpëlarje të parasë.
“Për mua është simptomatike neglizhenca e madhe që është në këtë situatë. Si mundet një person të paguhet 4 milionë euro nga Serbia, të sillet me pasaportë diplomatike të Kosovës për rreth dhe është e çuditshme se ai është profesor i filozofisë, që ka hapë një kompani, që është prototip i kompanive për shpëlarje të parasë pasi s’ka zyre, s’ka të punësuar dhe s’ka adresë e përfitimin e ka 4 milionë euro nga Beogradi”, është shprehur Ismaili.
Ai, gjithashtu tha se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nuk është dashur të mbrohet nga askush, teksa shtoi se korrupsioni kurdo që të ndodh nuk duhet të mbrohet as nga PDK-ja, as nga LDK-ja, as nga AAK-ja e as nga VV-ja, shkruan Klankosova.tv.