Një ish-komandant i grupit mercenar rus Wagner, i cili iku në Norvegji ka kërkuar falje për luftimet në Ukrainë, raportoi të enjten Reuters.
Andrei Medvedev, i cili kaloi kufirin ruso-norvegjez më 13 janar, ka thënë se ishte dëshmitar i vrasjeve dhe keqtrajtimit nga Wagner të të dënuarve rusë që janë dërguar në Ukrainë për të luftuar.
“Së pari, dua që në mënyrë të përsëritur të kërkoj falje dhe megjithëse nuk e di se si do të pritet kjo, dua të them se më vjen keq”, ka thënë 26-vjeçari. “Po, kam shërbyer në Wagner. Ka disa momente (në historinë time) që njerëzit nuk i pëlqejnë, por askush nuk lind i zgjuar”, ka shtuar ai.
Medvedev ka thënë se ka vendosur që të flasë në mënyrë që të ndihmojë për të siguruar që autorët të ndëshkohen në raste të caktuara dhe se do të japë kontributin e tij për këtë.
I pyetur për incidentet që i ka parë, ai tha se nuk mund t’i komentojë ato në këtë fazë pasi është nën një hetim të policisë norvegjeze për krime të luftës.
Kripos, shërbimi kombëtar i policisë kriminale i Norvegjisë, i cili ka përgjegjësinë për hetimin e krimeve të luftës, ka filluar të marrë në pyetje Medvedevin për përvojat e tij në Ukrainë.
Ai ka statusin e dëshmitarit dhe nuk dyshohet për asgjë përveç kalimit të paligjshëm të kufirit. Medvedevi tha se nuk kishte asgjë për të fshehur nga policia.
“Unë nuk kam kryer asnjë krim, kam qenë vetëm një luftëtar”, është shprehur ai.