Kur e ka pranuar detyrën në Ministrinë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se e ka pasur të qartë se nuk do të jetë si ministrat e kaluar.
Haxhiu në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha se deklarimet e saj në raport me veprimet e ministrave të mëparshëm janë minimale, teksa thotë se po vepron e po bën reformë.
“Kur unë kam pranuar detyrën e ministres se Drejtësisë e kam pasur të qartë që veq si ministrat e kaluar nuk do të jem, në kuptimin që me i ndreq aq shumë raportet me sistemin e drejtësisë edhe me i mbyllë sytë edhe ata përball punës sime dhe unë të atyre. Deklarimet e mija në raport me veprimet e tyre janë minimale besom përditë kisha reagu. Unë po veprojë, po bëjë politikë, po bëjë reformë. Lidhen me veprimet në raport me mungesën e përgjegjësisë për rastet e dhunës në familje për shkak të mosveprimit institucional dhe në anën tjetër rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit por edhe te krimet e luftës…”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, Haxhiu thekson se detyrën e ministres së Drejtësisë nuk e ka marrë për t’i mbyllur sytë dhe për të bërë “hajgare”.
“Unë nuk e kam marrë detyrën e ministres për me i mbyllë sytë dhe bë hajgare. E kuptojë që mund të kritikohem nga shoqëria civile për deklarimet e mija, por në Qeverinë Kurti nuk do të ketë ministër apo kryeministër që do ta thërret prokurorin dhe gjyqtarin dhe do t’iu thotë këtij presoni ke mi ngrit aktakuzë e këtë me tërheq. Këtë e kanë bë më herët”, përfundoi Haxhiu.