Presioni për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe po shtohet çdo ditë e më shumë nga ndërkombëtarët, ndërsa ekzekutivi i Kosovës, së fundmi ka dalur me gjashtë kushte për formimin e tij.
Deputetët e partive opozitare adresuan kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, derisa thanë se kjo çështje duhet të merret me seriozitet nga kryeministri Albin Kurti, i cili duhet të jetë në bashkëpunim me SHBA-në.
Sipas tyre, fakti që Qeveria nuk ishte e ftuar në lutjet e mëngjesit në SHBA, lënë të nënkuptohet se mund të ketë dëmtim të raportit me ShBA-në. Nga pozita thanë se nuk ka arsyeje pse të formohet apo të propozohet plan i ri për Asociacionin.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha për KosovaPress se Qeveria duhet ta nxjerrë një alternativë tjetër nga ajo që është parë deri tash për Asociacionin.
“Në këtë rast Asociacioni është çështje që duhet ta marrë përgjegjësi Qeveria e Kosovës. Ne e dimë që Qeveria duhet ta nxjerrë një statut në mbledhjet e saj për Asociacionin, i cili duhet të jetë në harmonizim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës…Qeveria duhet të ketë alternativa, duhet të ruajë partnaritet me miqtë ndërkombëtarë, me SHBA-të dhe me BE-në. Duhet të jetë e sinqertë dhe transparente për qytetarët e Kosovës dhe jo të krijojë këso situata dhe në fund të veprojë ndryshe. Mendoj se nuk është e sinqertë sa i përket Asociacionit, qëndrimi i Kurtit.”, tha Beqa.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi tha se ekzekutivi duhet të dalë përballë këtyre proceseve, derisa shtoi se duhet të ketë kujdes në raport me ShBA-në.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të dalë përballë këtyre proceseve të vendit tonë. Çdo proces që ka të bëjë me shtetin e Kosovës, kryeministri duhet të dalë me një përgjigje se çfarë do të veprojë me çështjen e Asociacionit. Pra, puna i mbetet kryeministrit, pasi ka 51%…Po ashtu, kryeministri duhet të ketë kujdes në raport me SHBA-të, sepse falë tyre ne jemi këtu. Ne si LDK e kemi përkrahur kryeministrin në proceset integruese, por gjithmonë ato procese kur kanë qenë në dakrodim me SHBA-të dhe BE-në.”, tha Krasniqi.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj u shpreh për KosovaPress se kryeministri Kurti ka bërë veprime të gabuara duke rrezikuar sigurinë e vendit.
Kadrijaj përmendi edhe draftin e propozuar së fundmi për Asociacionin, duke thënë se Qeveria duhet ta analizojë nëse është në frymën kushtetuese. Ajo shtoi se Qeveria duhet të përnqedrohet në marrëveshjen finale.
“Me veprimet kryeneçe të tilla dhe me populizmat e tij nuk di ku dëshiron t’i çojë…Është propozuar një draft, Qeveria duhet të ulët, ta analizojë dhe duhet të shohë a është në frymën e Kushtetutës së Kosovës dhe a preket Kushtetua, sepse edhe kur është nënshkruar marrëveshja në Bruksel, ne e kemi dërguar në Kushtetuese dhe ka dhënë disa verdikte që ka pas shkelje të Kushtetutës në atë marrëveshje. Nëse duhet të bëhet Asociacioni, duhet të bëhet vetëm në frymën e Gjykatës Kushtetuese. Ajo që duhet bërë kjo Qeveri është koncentrimi në marrëveshjen finale, sepse është anagzhim i madh i vendeve aleate për arritjen e një marrëveshjeje finale dhe në konturat e saj që duhet të respektohet sovraniteti, integriteti, duhet të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sepse ne pa vendet aleate kot që kemi aplikuar për antarësim në BE.”, tha Kadrijaj.
Kadrijaj tha se mungesa e një ftese për ekzekutivin për Lutjet nacionale të Mëngjesit në Uashington është një shenjë që raportet “lënë për të dëshiruar”.
Lutjet e Mëngjesit, një traditë e vjetër amerikane, sipas të cilës, çdo vit në fillim të shkurtit, në lutjet e përbashkëta mblidhen presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anëtarë të Kongresit, politikanë amerikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga qindra vende të botës.
“Përgjegjësia ose pushteti nuk është vetëm luksi që po e shfrytëzojnë shumë mirë LVV edhe për nepotizëm, për rehabilitim dhe punësim të njerëzve partiak, tash aferat korruptive nëpër borde, pra këta duhet me u përball me pasojat e veprimeve të tyre dhe duhet të qëndrojnë në ato pozicione të punojnë për Kosovën… Vet fakti që jashtë shtetit, tash në Lutjet e Mëngjesit kanë udhëtuar të gjithë liderët e partive politike por edhe deputetë të partive politike dhe mos ftesa për Qeverinë lë për të dëshiruar për këto raporte (me SHBA).”, shtoi Kadrijaj.
Ndërsa, nga pozita thanë se nuk ka arsyeje pse të formohet apo të propozohet plan i ri për Asociacionin.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit anëtare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Fitore Pacolli-Dalipi tha për KosovaPress se Kushtetuta dhe Plani i Ahtisaarit, janë bazë e mirë për të drejtat e njeriut dhe ofrojnë të drejta të ekzagjeruara për minoritetet.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës e njeh Kosovën si shtet multietnik dhe nuk lejon formimin e asociacioneve të tilla njëetnike. Andaj, ne mendojmë se Kushtetuta, Plani i Ahtisarit, janë bazë e mirë për të drejtat e njeriut, ofrojnë të drejta të ekzagjeruara për të drejtat e minoriteteve, kështu nuk ka arsyeje pse të formohet apo të propozohet plan i ri për Asociacionin.”, tha Pacolli-Dalipi.
Ndryshe, nga sa mendon opozita, sipas saj, çështja e Asociacionit nuk mund të ndikojë për të keq në raportet me Shtetet e Bashkuara.
“Kjo nuk i dëmton raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të janë një demokraci, ashtu siç është edhe Kosova. Vendimet i marrim me shumicë në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri. Njëkohësisht bashkëpunojmë ngushtë me SHBA-të, i tregojmë cilat janë interesat e tona, pse nuk bënë të kemi Asociacion dhe cilat janë arsyet pse duhet të mos ngutemi në një formë të tillë ta shtyjmë një gjë që e dëmton tutje procesin edhe të integrimit të minoriteteve edhe të zhvillimit të Kosovës dhe të thellimit të demokracisë në vend.”, shtoi Pacolli.
Ditë më parë, kryeministri Kurti paraqiti në Kuvend 6 kushtet e tij për formimin e Asociacionit, që nga opozita u mor si pranim i këtij mekanizmi.