Live

SHBA mbledh mbetjet e balonës misterioze kineze, ja çfarë zbulon

19:43 / 09 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Balona që fluturoi për disa ditë mbi qiellin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ishte lëshuar për qëllime meteorologjike, por për spiunazh. Në këtë përfundim ka dalë sot administrata Biden pasi zyrtarët tërhoqën nga deti mbetjet e mjetit fluturues pasi u qëllua me avionë luftarakë.

Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, administrata Biden ka dalë në përfundimin se balona funksiononte me teknologji të mbikëqyrjes elektronike, të aftë për të monitoruar komunikimet në tokën amerikane.

Në të shkuarën katër balona spiune kineze kanë fluturuar mbi Shtetet e Bashkuara mbi vendndodhje që konsideroheshin “me interes për kinezët”, tha Pentagoni të mërkurën, por pa dhënë hollësi se çfarë trajektoresh kishin përshkuar ato, apo nëse kishin kaluar mbi ndonjë objekt ushtarak.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Patrick Ryder tha se Shtetet e Bashkuara dispononin informacion rreth këtyre katër balonave kineze përpara se të zbulonin atë më të fundit, e cila mbërriti mbi Alaskë më 28 janar.

Shtëpia e Bardhë tha dje gjithashtu se balona kineze janë vënë re në vende të ndryshme, nëpër pesë kontinente dhe se Shtetet e Bashkuara po komunikojnë me aleatët e tyre mbi këtë çështje. Uashingtoni qëlloi dhe rrëzoi të shtunën me anë të një rakete lëshuar nga një avion luftarak balonën spiune kineze teksa ajo po udhëtonte mbi oqeanin Atlantik në brigjet e Karolinës së Jugut.

Zyrtarët e administratës Biden thanë se balona po përdorej për vëzhgim dhe lëvizjen mbi Shtetet e Bashkuara e konsideruan një “shkelje të papranueshme të sovranitetit të vendit” nga Kina. Pekini ka këmbëngulur se balona po përdorej për arsye shkencore civile dhe se kishte përfunduar gabimisht në hapësirën ajrore amerikane.

Shpërndaje në

U Kopjua