Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se SHBA mirëpret vendimin e Kosovës për pranimin e propozimit franko-gjerman.
Chollet këtë e ka deklaruar në ‘Twitter’, teksa ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot. E mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka deklaruar Chollet.
Kurti e ka prezantuar planin franko-gjerman si “marrëveshje bazë” dhe jo finale, si dhe që nuk sjell njohjen e Kosovës nga Serbia në Kuvendin e Kosovës të enjten.
“Në propozimin franko-gjerman, janë vlerat universale. Një marrëveshje bazë që ka vlera universale brenda, konsideroj që është edhe e drejtë edhe e dobishme për RKS”, ka deklaruar ai.
Liderët e opozitës në Kuvend e kanë kritikuar ashpër Kurtin, të cilët kanë thënë se kjo qeveri ka degraduar dialogun, duke e çuar nga “njohja finale në qendër” në “Zajednica në qendër”.
Kurti e ka konfirmuar në një takim me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se Kosova e ka pranuar planin franko-gjerman.
Spoke with PM @albinkurti today. We welcome Kosovo’s decision to accept the EU proposal for normalized relations with Serbia through the EU-Facilitated Dialogue. Now we need implementation to secure significant benefits to both countries.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) February 10, 2023