Në ditën kur ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ishte arrestuar, Prokuroria kishte sekuestruar edhe një sasi dokumentesh.
Të njëjtat sot ata kanë bërë kërkesë t’i përdorin në proces gjyqësor. Në këtë parashtrim, Prokuroria thekson se këto deklarata dëshmojnë përfshirjen e Jakup Krasniqit në veprat e aktakuzës.
“Aneksi 2 përmban draftet e deklaratave publike të UÇK-së, komunikatave dhe deklaratave politike që janë sekuestruar gjatë një operacioni të autorizuar të kontrollimit dhe sekuestrimit në rezidencën e të akuzuarit Jakup KRASNIQIt, si dhe versione të deklaratave zyrtare që KRASNIQI i kishte përfshirë në një dorëshkrim të pabotuar libri. Për arsyet e dhëna më sipër në lidhje me Aneksin 1 dhe siç detajohet më tej në Aneksin 2, të gjitha këto materiale janë relevante, autentike dhe provuese. Përveç sekuestrimit nga rezidenca e të Akuzuarit, shumë prej draft versioneve të deklaratave publike në Aneksin 2 u publikuan dhe u shpërndanë përfundimisht”, thuhet në një parashtrim të Prokurorisë.
Gjithashtu në mesin e këtyre provave, Prokuroria përmend librin “Arkiv – Radio Kosova e Lirë”. Sipas Prokurorisë, ky libër shfaq fotografi, dëshmi e detaje të tjera lidhur me funksionimin e UÇK-së.