Kriza ekonomike dhe pasiguritë kanë bërë që mijëra njerëz të protestojnë në Moldavi kundër qeverisë dhe në mbështetje të Rusisë.
Protestat e së dielës, të organizuara nga partia pro-ruse e Moldavisë Sor, u ndoqën me vëmendje nga qeveritë në të gjithë Europën dhe më gjerë. Shumica e protestuesve udhëtuan për në kryeqytetin Kishinau me autobus, me shpenzimet që u mbuluan nga kjo parti.
Ditë përpara se të mbahej tubimi, presidentja Maia Sandu paralajmëroi se Rusia po planifikonte të dërgonte agjentë të trajnuar ushtarakë në vend, të maskuar si civilë, për të rrëzuar qeverinë e saj pro-perëndimore.
Rusia e mohon këtë gjë duke i cilësuar akuzat si një përpjekje të autoriteteve moldave për të shmangur vëmendjen nga dështimet ekonomike.
Marina Tauber, sekretarja e përgjithshme e Sor, e cila drejtoi protestën jashtë parlamentit tha se partia e saj nuk është kundër BE-së dhe dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha palët.
Por ka nga ata në partinë e saj që pranojnë se do të mirëprisnin ndërhyrjen ruse. Moldavia, e vendosur në kufirin me Ukrainën, varet nga gazi rus. Vitin e kaluar, Moska përgjysmoi furnizimin, duke ushtruar presion mbi qeverinë në Kishinau. /Abc news