Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, lidhur me festimet e 15-vjetorit të Kosovës, ato i cilësoi si momente sublime dhe plot emocione.
Durmishi u shpreh se fakti që në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ishin pjesë dhe personalitete të Shqipërisë dhe miq shqiptarë nga e gjithë bota, është tregues i mbështetjes së përhershme të Shqipërisë ndër vite.
Rrugëtimin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Durmishi e konsideroi si rrugë plot sfida, rezultatet dhe sukseset e së cilit, e bën atë një shtet.
“Gjatë festimeve unë isha dhe në Prishtinë, në manifestimet kryesore. Ishte organizuar me kujdes çdo gjë. Moment sublim dhe plot emocione. Ato që u realizuan ishin fantastike. Ndjeva emocione të veçanta në momentin e parakalimit të trupave të policisë së Kosovës dhe kuadrateve të ushtrisë së Kosovës. Ishte moment plot emocione te të gjithë që ishin në shesh. Nxënës, qytetar të rinj, të vjetër për të jetuar atë çast. Ishte pikë kulmore. Kështu do e quaja unë. Erdhën miq të Kosovës dhe shqiptarëve nga e gjithë bota për atë moment. Që nuk janë ndarë për të ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat, para, gjatë dhe pas luftës. Këtë moment jubileu e shijuan shumë. Begaj ishte pjesë e këtyre festive, mbajti fjalën në parlament, u takua me personalitetet të Kosovës. Pati dhe mbrëmje me karakter artistik.”, tha ai, duke shtuar se iu dha forma e duhur për të festuar këtë jubile.
Ambasadori i Kosovës u shpreh se një nga sfidat e këtij vendi, mbeten raportet me Serbinë, shkruan Rtsh Sipas Durmishit, duhen përshpejtuar hapat për një zgjidhje dhe dialog me Serbinë.
“Kjo pjesë nuk mund të ndahet nga konstatimi i mëparshëm se është pikë e lavdërueshme e shtetit të Kosovës, politika e jashtme. Kemi ende këtë gjendje që jemi dhe kjo mbetet një nga sfidat, raporti me Serbinë. Politika e jashtme është rrëfim i suksesit të Kosovës. 117 shtet janë njohur Kosovën, ata e dinë si është ky proces dhe nuk janë pak kaq shumë vende. Ne duam dhe meritojmë më shumë. Ne kemi lënë 20 vende të rezervuara për minoritetet, 10 vende për serbët dhe 10 vende për minoritete të tjera. Nuk ka shtet në botë që ofron standarde kaq të avancuara. Gjuha serbe është zyrtare. Raportet me Serbinë janë një bazë që ne na jep optimizëm se jemi në rrugën e duhur. Serbia të kuptojë këto realitete dhe të mos bëj destruksione në veri të Kosovës. Të kontribuojnë në buxhetin e Kosovës dhe të përfitojnë nga ai buxhet në prosperitetin e tyre. Jemi në proces, të përshpejtojmë hapat për një zgjidhje dhe besojmë nëse do ketë epilog pozitiv”, tha ai.
Më tej, sa i përket mbështetjes së Shqipërisë ndaj Kosovës, Ambasadori Durmishi u shpreh se dora e Shqipërisë është ndjerë në çdo moment, para, gjatë apo dhe pas luftës.
Në çastet e para të shpalljes së pavarësisë, Durmishi theksoi, se Shqipëria tregoi kujdes të shtuar.
“Dorën e Shqipërisë ne e kemi ndjerë në çdo kohë, ndonjëherë më shumë, ndonjëherë më pak. Edhe para luftës, kur po krijoheshin konturimet e para për të prezantuar realitetin e Kosovës, Shqipëria bëri punën e saj, gjatë luftës me strehim. Në momentet e shpalljes së pavarësisë dhe çastet e para të bërjes së shtetit të Kosovës, kemi gjetur kujdes të shtuar te kolegët tanë nga Ministria e jashtme, që na kanë ndihmuar në çdo aspekt, madje dhe teknike. Isha në grupin e parë të diplomatëve që shkuam në Bruksel. Ndihma që jepet në fillim ka shumë vlerë. Krenohemi me sukseset tuaja, Shqipëria ka suksese kolosale, dhe këto janë shans i mirë për bashkëpunime të mëtejshme”, shtoi ai.
Më 17 shkurt, Kosova festoi 15-vjetorin e shtetësisë.