Live

ZRRE vendos në mars për tarifat e reja të energjisë elektrike

12:38 / 21 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, ka thënë se pas përfundimit të dëgjimit publik në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, do të dalin me një raport përfundimtar rreth tarifave të reja të energjisë elektrike.

Petrit Pepaj nga ZRRE ka thënë se pas datës 3 mars pritet të dalin me një vendim për tarifat e reja të energjisë elektrike.

“Jo Bordi nuk ka mbajtur asnjë mbledhje deri tani, sepse është në diskutim publik, dhe pas datës 3 mars do të dalim me një vendim”.

Zyra e Presidentit të Kosovës ka dërguar komente në ZRRE lidhur me tarifat e propozuara, duke kërkuar që të respektohet parimi i mosdiskriminimit.

“Për Presidenten e Republikës së Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRRE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik’ [të jetë] në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRRE-ja ftohet që me seriozitet t’i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend’”, tha zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se edhe ata kanë dërguar komentet e tyre në ZRRE.

Shqyrtim i jashtëzakonshëm i tarifave të energjisë elektrike është bërë me qëllim që të reflektojë mbi çmimet e ngritura të importit të rrymës, si pasojë e krizës globale energjetike.

Aktualisht, konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

ZRRE-ja ka dalë me propozimin për rritje të faturave më 17 janar. Ajo ka bërë ndarjen e konsumatorëve në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së, rritja e çmimit të energjisë prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1,000 kilovatë.

Për kategorinë D, që shpenzon 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 12 euro e 31 centë.

Për qytetarët në kategorinë E, që shpenzojnë 1,000 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 24 euro e 62 centë.

Partitë opozitare kanë kundërshtuar propozimet për rritje të çmimit të energjisë.

Ndërkohë, që rritja e faturave të energjisë elektrike të mos jetë aq e lartë dhe të mos bëhet e papërballueshme për një kategori të qytetarëve, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...