Të akuzuarit Nderim, Basri, Agron, Ardit, Bahri dhe Ylli Gashi, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për vrasjen e F.H., në prill të vitit 2022.
Deklarimin rreth fajësisë, gjashtë të akuzuarit e bënë në seancën e shqyrtimit fillestar, të enjten, në Gjykatën Themelore në Pejë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Lumturije Vuqetaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjashtë të akuzuarit Gashi, po akuzohen se më 28 prill 2022, në parkingun e “Villa Park” të fshatit Volljakë të Klinës, në bashkëkryerje me qëllim të hakmarrjes, e privojnë nga jeta viktimën F.H.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Nderim Gashi, avokati Emrush Kastrati, pas konsultimit me të mbrojturin e tij dhe kolegët, si dhe bashkë me të akuzuarit e tjerë, propozoi që aktakuza të konsiderohet e lexuar, me arsyetimin se të njëjtën e kishin lexuar dhe elaboruar mjaftueshëm.
Mirëpo, prokurorja Vuqetaj nuk u pajtua me një propozim të tillë, pasi që ishte shqyrtimi fillestar dhe ishte e nevojshme të lexohej aktakuza në interes të të gjithë të pranishmëve në seancë si dhe për shkak të një plotësimi të aktakuzës, në lidhje me të akuzuarin Ylli Gashi.
Më pas, aktakuza u lexua nga prokurorja Vuqetaj dhe gjashtë të akuzuarit Gashi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
“Më vjen keq për rastin çka ka ndodh, i shprehi ngushëllime familjes së të ndjerit, por nuk jam fajtor për asnjërat nga veprat penale për të cilat akuzohna”, tha i akuzuari Nderim Gashi.
Keqardhje shprehu edhe i akuzuari Ardit Gashi, duke e ngushëlluar famijlen. Po ashtu, deklaroi se është i pafajshëm përballë dy veprave penale për të cilat ngarkohet. Të pafajshëm u deklaruan edhe katër të akuzuarit tjerë.
Pas kësaj, gjyqtari Shaqë Curri, njoftoi të akuzuarit që në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë për kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkon gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Nderim, Agron, Ardit, dhe Bahri, përderisa ishin në vendpunishten “Buka prej guri”, atypari kalon i dëmtuari Mahmut Hoxha me veturën e tij dhe me të vërejtur këtë të fundit, të pandehurit Nderim, Bahri dhe Ardit, me veturën “Pick-up” e përcjellin dhe lokalizojnë vendndodhjen e të dëmtuarit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pas vrojtimit dhe përcjelljes nga restoranti ku ishin ulur familja Hoxha, dhe duke përcjellë lëvizjet e viktimës dhe të dëmtuarve, i dëmtuari Mahmut i përcjellë nga familjarët e tjerë, del jashtë restorantit dhe me të dalë vërehet nga të pandehurit e tjerë, ku i pari nga vetura del i pandehuri Ardit, me shkop në dorë, i cili vrapon në drejtim të të dëmtuarit Mahmut, e pas tij vrapon edhe i pandehuri Nderim.
Aktakuza thotë se aty ndërhyn viktima F.H., mirëpo në përleshje e sipër bashkëngjiten edhe të pandehurit Agron dhe Bahri, ku ky i fundit kishte mjet të fortë në dorë- lopatë dhe në ato momente ndërhyn edhe i dëmtuari Albert Hoxha, i cili pas të dëmturit Mahmut bëhet objekt i goditjeve të pandërprera me mjete të forta dhe grushte e shqelma nga të pandehurit.
Sipas aktakuzës, këto veprime vërehen nga viktima, i cili me vrap afrohet për të zmbrapsur sulmin ndaj vëllait, por me të arritur i pandehuri Nderim nxjerr armën e llojit “TT”, merr shenjë në të dhe godet me një predhë në kokë, pikërisht në syrin e majtë, duke tejshkuar kokën dhe duke përfunduar pas veshit të dhjathtë dhe i cili rrëzohet pa shenja jete. I njëjti ashtu i shtrirë goditet edhe dy herë me lopatë nga i pandehuri Bahri dhe duke shtënë edhe disa herë të tjera, i ka rrezikuar edhe vëllezërit e tij dhe tjerët përreth.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Basri, gjatë kohës derisa ishte në vendngjarje qëndron vetëm duke vëzhguar dhe atë në një distancë shumë të afërt, pa marrë ndonjë veprim aktiv për t’i ndarë, e që të gjitha këto veprime nga të pandehurit ishin ndërmarrë në motiv hakmarrjeje, ku tre vëllezër të të dëmtuarve Hoxha ua kishin rrahur një vëlla të pandehurve Gashi, për një borxh prej 300 euro, në Brescia të Italisë.
Për çka, sipas akuzës duke vepruar në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 dhe 1.8, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktakuza thotë se në ato momente pas vrasjes së viktimës, sulmi kishte vazhduar sërish ndaj të dëmtuarit Albert, ku vazhdimisht goditet me lopatë disa herë nga i pandehuri Bahri, pastaj nga i pandehuri Agron, e që ky i fundit deri në ato momente po e godiste me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit së bashku me të pandehurin Ardit. Me këtë rast, dëmtuari Mahmut pëson lëndime të lehta trupore nga predha e hedhur, po ashtu edhe i dëmtuari Albert pëson lëndime të lehta trupore.
Me këtë, ngarkohen se duke vepruar në bashkëkryerjë kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 173, par.1, nënpar 1.5 dhe 1.8, lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.
I pandehuri Nderim Gashi, gjithashtu akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së, ku thuhet se pas kryerjes së veprës penale, armën e fsheh në vendpunishten “Buka prej Guri”.
Kurse, i pandehuri Ylli Gashi, akuzohet se lidhur me rastin, me dashje ndihmon personin tjetër në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë” dhe “Vrasja e rëndë në tentative”, ku i siguron armën të pandeurit Nderim Gashi.
Me këtë, akuzohet se ka “Ndimuar” në kryerjen e veprës penale “vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar 1.5 dhe 1.8, e lidhur me nenin 31 dhe 33 të KPRK-së, dhe “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 dhe .1.8 lidhur me nenin 28, 31 dhe 33 të KPRK-së.