Emanuel Bajra, njëri ndër hartuesit kryesor të Fondit Sovran, ka deklaruar se ky fond i cili ishte edhe premtimi më i madh ekonomik i qeverisjes aktuale, është në fazën e fundit të formimit të tij.
Bajra ka shpjeguar për T7 rolin e Fondit Sovran në ekonominë e vendit. Sipas tij, në këtë fond fillimisht do të përfshihen gjashtë ndërmarrje publike me synim ristrukturimin, komercializimin dhe futjen e tyre në bursat ndërkombëtare dhe më pas shitjen e 49% të aseteve të tyre.
“Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, KEK-u, Trepça, Infrakos dhe Trainkos do të jenë ndërmarrjet e para që do të futen nën ombrellën e Fondit Sovran. Do të krijohet në bord mbikëqyrës i këtij fondi i cili do të hartoj politika që këto ndërmarrje t’i bëjë profitabile, të fus kapital të huaj në to. Plani është që duke futur edhe kapital të huaj këto ndërmarrje të mund të operojnë dhe të kenë stabilitet financiar e më pas duke i hedhur në bursa ndërkombëtare të shiten maksimum 49% e aksioneve, ndërsa që qeveria të mbajë 51%”, është shprehur mes tjerash Emanuel Bajra – ekspert i tregjeve ndërkombëtare.
Bajra po ashtu ka treguar se me futjen nën ombrellë të Fondit Sovran të ndërmarrjeve publike do të ristrukturohen dhe se do të ketë edhe largime nga puna, në mënyrë që këto ndërmarrje të përshtaten me nevojat e tregut.
Edhe pse struktura organizative parasheh borde mbikëqyrëse e menaxhuese të fondit dhe të ndërmarrjeve publike, sipas Bajrës, kjo nuk do të ndikojë në ngecje në vendimmarrje.