Live

Delawie: Turpëruese, Serbia nuk është e gatshme ta nënshkruajë marrëveshjen

10:31 / 28 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie deklaroi se është mirë që duket se ka marrëveshje mes palëve në dialogun e Brukselit për propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

“Çdo takim gjatë të cilit liderët e Kosovës dhe Serbisë trajtohen si të barabartë është hap pozitiv. Duket se ka një marrëveshje verbale për propozimin e BE-së, e cila është e mirë. Serbia, megjithatë, nuk është e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen – gjë që duket turpëruese”, deklaroi Delawie për Zërin e Amerikës, duke interpretuar rezultatin e bisedimeve ndërmjet negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq, përcjell Demokracia.com.

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Borrell, pas takimit tha se është bërë përparim në bisedime, por se përkundër kësaj duhet të bëhen përpjekje shtesë për të zbatuar atë që është rënë dakord.

Jennifer Bachus, diplomate amerikane në pension, e krahasoi qasjen e Bashkimit Evropian në dialogun me Kosovën dhe Serbinë me, siç e përshkruan ajo, programin e mbrojtjes civile nga epoka e ish-presidentit jugosllav Josip Broz Tito – i quajtur “Asgjë nuk duhet të na habisë”.

“Edhe pse programi ishte hartuar për të përgatitur Jugosllavinë për epokën post-Tito, unë besoj se mund të përshtatet me politikën e BE-së ndaj Serbisë. Zyrtarët e saj mund të kenë qenë të befasuar nga mospërputhja e vazhdueshme e Serbisë dhe kokëfortësia e saj irracionale e shkaktuar nga keqardhja”, thotë ish-diplomatja amerikane.

Krahas kësaj, ajo ka treguar edhe sinjalet që vijnë nga Kosova.

“Ata mund të habiten edhe nga rezistenca e vazhdueshme e kryeministrit Kurti, i cili duket se nuk është gati të sakrifikojë sovranitetin pas një lufte të përgjakshme që la pas 10 mijë viktima dhe një milion qytetarë të shpërngulur të Kosovës. Duket se fusha për dialog ka mbetur e pabarabartë”, beson ajo.

Ish-ambasadori amerikan rikujton se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është zgjidhje që ka qenë aktuale që nga koha e planit të përfaqësuesit ndërkombëtar Marti Ahtisaari – nga viti 2007.

“Kosova e ka pranuar dhjetë vjet më parë. Ajo do të duhet të zbatohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me mirëkuptimin se qëllimi i saj është të përfitojnë serbët e Kosovës. Dhe jo qeveria e Serbisë,” beson Delawie.

“Gjëja më e rëndësishme është që Serbia t’i bashkohet shumicës së pjesës tjetër të botës dhe ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur – duke i hapur rrugën asaj që të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Si dhe të heqë dorë nga kërcënimi i dhunës në për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kosovën”, thekson Delawie.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...