Pajtimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për planin evropian gjatë ditës së djeshme në Bruksel, nga komentatori politik, Fidan Rama nuk po shihet si një marrëveshje e arritur mes dy palëve.
Rama, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë shumë larg nënshkrimit të planit franko-gjerman duke theksuar se Asociacioni është problemi kyç për këtë dhe se takimi i djeshëm ishte vetëm një konfirmim për planin por jo një obligimi ndërkombëtar.
“Nëse e shohim se ku kemi ngecur në diskutimet fillestar pas kësaj marrëveshje, e kuptojmë që palët janë shumë larg nga ajo që ne po proklamojmë që 24 orë. Natyrisht, një ditë pas konfirmimit të kësaj marrëveshje dhe pajtimit mes dy palëve fillojnë menjëherë problemet me kërkesat për implementim të këtyre kërkesave. E pamë Escobarin i cili flet shumë pak për këtë marrëveshje që po e proklamojmë se është arritur dje dhe direkt shkon flet për krijimin e Asociacionit. Kjo është pika të cilën Kurti nuk është i gatshëm ta realizoj në këtë element të cilën e ka si bazë marrëveshjen e 2013 dhe 2015 dhe prandaj këtu është ajo pika e cila do të pamundësoj firmosjen e planit franko-gjerman, ku zyrtarisht do të ishte një obligim ndërkombëtar mes dy palëve. Ajo çfarë kemi parë dje nuk është as obligim ndërkombëtar, as konfirmim por po e quaj zotim nëse arrijmë të i konfirmojmë pikat tjera do të arrijmë tek implementimi, pra kjo s’ka bazë që do të detyronte palët të zbatohen këto çështje”, ka deklaruar Rama.
Tutje, komentatori Rama ka thënë se kur flasim për marrëveshje një e tillë duhet konsideruar ajo e vitit 2013 për Asociacionin dhe jo ajo çfarë u diskutua dje, duke shtuar se kryeministri Kurti asnjëherë s’do ta themeloj një Asociacion.
”Pra kur flasim për marrëveshje mes dy palëve bazë është ajo që është arritur në 2013 dhe jo ajo çfarë ndodhi gjatë ditës së djeshme. Unë shoh shumë pengesa që kjo të arrihet deri në fund, dhe kryekëput është Asociacioni që z.Kurti në këto rrethana e këto përmbajtje s’do ta bëj asnjëherë.”, deklaroi ai.
Si problem kyç që pengon arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve, Rama e sheh Asociacionin i cili sipas tij “është temë e ndarë nga plani franko-gjerman dhe për mua mbetet pika kyçe që do të pamundësoj të shkohet tutje deri tek nënshkrimi i një marrëveshje.”