Tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi nga muaji tjetër. Nga Zyra e Rregullatorit për Energji kanë thënë se vlerësimet preliminare tregojnë se do të ketë shtrenjtim për 14 përqind. Asnjë palë s’ka dorëzuar komente deri tash për këtë çështje në ZRRE.
Nga 1 prilli i këtij viti, do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike. Këto tarifa do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.
Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit për Energji i ka thënë Gazetës Express se bazuar në vlerësimet preliminare, këto tarifa do të jenë më të shtrenjta se aktualet për 14 përqind.
“Tarifat e reja hyjnë në fuqi me 01 prill 2023 dhe zgjasin deri me 31 mars 2024. Vlerësimet preliminarë te prezantuara në Raportet Konsultativë tregojnë një rritje rreth 14%”, ka deklaruar Pepaj.
Deri tash, Pepaj thotë se asnjë palë s’ka dërguar komente për këtë çështje, edhe pse kanë mbetur vetëm edhe dy ditë kohë.
“Koha për pranimin e komenteve është deri me 3 mars 2023, deri me tani nuk kemi pranuar komente nga asnjë palë e interesit”, thuhet në përgjigjen e Pepajt.
Nga KEDS e kanë konfirmuar para një jave se kanë dorëzuar kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë.
Margarita Rashiti, zëdhënëse e KEDS-s i ka thënë se janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore për aplikim te shqyrtimit tarifor.
“Janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore për aplikim te shqyrtimit tarifor. Ne e kemi bërë kërkesën në ZRrE, por per detaje drejtojuni kësaj të fundit“, kishte thënë Rashiti.
Opozita kundër
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, ka thënë se s’beson që do të ketë ngritje, por nëse një gjë e tillë ndodh, ka thënë se për ta është e papranueshme.
“Nëse ZRrE niset nga faktori ligjor, nga faktori real ekonomik, nëse i merr parametrat socio-ekonomik të vendit, nuk besoj që do të ketë ngritje. Por nëse ZRrE bie në ndikimin e politikës së Qeverisë, në atë se çfarë kemi parë se si ka menaxhuar këtë sektor deri më tash edhe është e mundshme ngritja e çmimit. Për ne është e papranueshme, por megjithatë ne po presim vendimin përfundimtar ligjor nga një institucion, i cili kemi dëshirë që të jetë krejtësisht i pavarur në vendimmarrje”, ka thënë Shala.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka vlerësuar se ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike është i panevojshëm.
“Është e papërballueshme edhe një herë rritja e çmimit të energjisë elektrike. Duke pasur parasysh inflacionin e lartë në Kosovë dhe qytetarët nuk e dinë se qysh kanë për të përballuar edhe një rritje të energjisë elektrike. Aq më keq tani në kohën kur po përmirësohet koha. Nuk kemi ndonjë dimër shumë të fortë që të ketë reduktime apo ngarkesa shumë të mëdha. Koha është duke u përmirësuar nuk e shoh të arsyeshme që kanë arsyeje për të rritur çmimin e energjisë përderisa pagat janë ende të njëjta”, ka thënë Bunjaku.
Tarifat që aktualisht janë në fuqi ishin miratuar më 8 shkurt të vitit të kaluar.
Me këto tarifa, shtrenjtim të faturave kanë pasur ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.
Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë kanë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.
Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë është 7 centë, ndërsa ajo e ulët, 3 centë.