Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Xh.S., Sh.R.,M.B., dhe F.G., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Grabitja”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit duke vepruar si grup i përbashkët, kanë kryer grabitje të armatosura në pika të ndryshme të karburanteve në lokacione të ndryshme si dhe në zyrat e KEDS në Shtime, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ne bashkëkryerje “Grabitje”.
Po ashtu, në vendin e ngjarjes, nga Policia si prova materiale janë sekuestruar: Pistoleta e tipit F.B, nr 15567 me një karikator dhe 7 copë fishek të kalibrit 9 mm, pistoletë pa nr.serik me 2 karikator 15 copë fishek të kalibrit 9 mm, një kapelë e zezë dhe një palë dorëza të punës dhe një jelek antiplumb.