Goran Radosavleviq me nofkën Guri, është një nga komandantët më famëkeq serb që dyshohet për udhëheqjen e disa prej masakrave më të mëdha në Kosovë. Masakrat e krimet ndaj Kosovës dhe UÇK-së, Radosavleviq i nisi me krimin mbi familjen Jashari, pastaj me masakrën në Reçak e Qyshk të Pejës, për të kulmuar me zhdukjen e pastaj vrasjen e 3 vëllezërve me nënshtetësi amerikane, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi.
Pas daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, forcat serbe do të nisnin planet e tyre për ta dëmtuar sa më shumë ushtrinë e cila kishte synim çlirimin e vendit. Normalisht në cak të serbëve ishte komandanti Adem Jashari dhe familja e tij, që vlerësohej si bërthama e UÇK-së.
Për këtë, pak muaj pas daljes publike, saktësisht më 22 janar 1998, forcat serbe nisën edhe sulmin e dytë ndaj Jasharëve. Sulmi doli të ishte i dështuar pasi familja Jashari arriti t’i largojë forcat serbe nga fshati Prekaz.
E sulmi i tretë mbi familjen Jashari doli të ishte fatal. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 familja e komandantit legjendar do të përballej me artilerinë më të rëndë të ushtrisë serbe. Masakra mbi familjen Jashari do të merrte jetën e mbi 50 qytetarëve, më shumë se 20 anëtarë të ngushtë të familjes së Adem Jasharit.
Ky sulm dyshohet të jetë organizuar nga një prej komandantëve më famëkeq serb me emrin Goran Radosavleviq, i njohur në Serbi me nofkën “Guri”. Këtë e vërteton edhe më shumë fakti që më 7 mars, pas kryerjes së masakrës, Radosavleviq kishte shkuar në Prekaz gjatë kohës që po bëhej largimi i trupave.
Por kush është Goran Radosavleviq me nofëkn Guri? Gazeta Nacionale sjell një përmbledhje të krimeve që dyshohet t’i ketë organizuar Radosavleviq në Kosovë, e që i njëjti vazhdimisht nderohet me mirënjohje nga pushteti serb.
Goran Radosavleviq – Guri
Radosavleviq gjatë luftës së Kosovës (1998-1999), udhëhoqi një sërë grupesh “kundër-terrorizmi” që njiheshin si Grupi Operacional (OPG). Këto grupe ishin krijuar me qëllimin e vetëm, për ta luftuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Radosavleviq duke udhëhequr këto grupe, do të bëhej më vonë i dyshuari kryesor për kryerjen e shumë krimeve në Kosovë.
Goran Radosavleviq endet i lirë nëpër Serbi. Madje, ka qenë pjesë e partisë së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Është nderuar edhe me mirënjohje “për kontributin e tij ushtarak në Serbi”.
Radosavleviq kishte shkuar në Prekaz pak orë pasi kishin mbetur të vrarë mbi 50 qytetarë të Prekazit, nga ta më shumë se 20 familjarë të Adem Jasharit. Prezenca e tij do të shërbente si dëshmi se ishte një nga organizatorët e këtij krimi. Këtë fakt nuk e kishte fshehur as vetë Radosavleviq.
Në një nga intervistat e tij të shumta për mediat në Serbi ku ai krenohet për kryerjen e krimeve në Kosovë, kishte bërë një deklaratë të tmerrshme. “Adem Jashari përdori gratë, fëmijët e pleqtë si pengje”, kishte deklaruar komandanti famëkeq serb. Për përfshirjen e tij në krimin mbi familjen Jashari dhe krime të tjera në Kosovë, kishte raportuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi.
Radosavleviq aktivitetin e tij kriminal nuk e ndali edhe pas krimit në familjen Jashari. Në janar të vitit 1999 ai udhëhoqi një tjetër masakër të tmerrshme, atë të Reçakut ku u vranë 45 civilë shqiptarë. Edhe këtë krim, Radosavleviq nuk e kishte fshehur.
“Ishte një veprim legjitim i pastër policor, dhe antiterrorist. Aty nuk pati masakrës, u vranë vetëm terroristët që bënin rezistencë”, kishte deklaruar Radosavleviq për mediat serbe.
Radosavleviq është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte përgjegjës për zhdukjen e më pas vrasjen e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit. Tre vëllezër shqiptarë me nënshtetësi amerikane, që kishin ardhur për të luftuar në Kosovë. Familja Bytyqi dhe institucionet më të larta të Amerikës, e kishin akuzuar komandantin famëkeq serb se ishte direkt shkaktar për vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi.
Në vitin 2010, Radosavleviq u bashkua me Partinë Përparimtare të Serbisë të Aleksandar Vuçiqit, presidentit aktual të Serbisë. Që nga maji i vitit 2014, Radosavleviq ishte anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Partisë Përparimtare të Serbisë.
Ai vazhdimisht nga shteti serb është nderuar me mirënjohje. Hera e fundit kur ai u nderua ishte qershori i vitit 2021. Në kremtimin e “Ditës së Xhandarmërisë” më 30 qershor 2021 në Novi Sad, komandanti i Xhandarmërisë, Dejan Lukoviq, i ndau një medalje komandantit të parë të kësaj njësie policore në Serbi, Goran Radosavleviq Guri, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e suksesshëm.
Epopeja e UÇK-së
5, 6 dhe 7 marsi është koha kur Kosova shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo në shenjë nderimi për kontributin e familjes Jashari, dhe mobilizimin edhe më të madh në luftën për çlirim.
Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Sot do të nisin homazhet në Prekaz, derisa në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, duke nisur nga ora 12:00 do të zhvillohet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së.
Kurse, nesër do të vazhdojnë homazhet në Prekaz, pastaj Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne, e pasdite do të mbahet Akademi Përkujtimore.
Ndërsa, më 7 mars do të zhvillohet nata e zjarreve në Prekaz, si dhe një program artistik në sheshin e Skenderajt.