Live

FOTO| Tërmeti në Turqi dhe Siri: Të mbijetuarit që jetojnë me frikë në rrugë

08:54 / 06 Mars 2023

Nga Kosova Live

Një muaj pas tërmeteve shkatërruese në Turqi dhe Siri, bëhet e ditur se të paktën 1.5 milion njerëz tani janë të pastrehë dhe është e paqartë se sa kohë do të duhet për t’u gjetur atyre strehimin e duhur.

Ndërkohë, agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive Afad thotë se pothuajse dy milionë njerëz janë larguar nga zona e tërmetit, ku sipas tyre, disa jetojnë me miqtë ose të dashurit e tyre.

Ndërkaq, fluturimet dhe trenat jashtë rajonit janë falas për ata që duan të largohen.

Por, në qytetin Samandag, pranë bregut të Mesdheut, banorja Songul Yucesoy e ka të qartë se ajo dhe familja e saj nuk do të shkojnë askund, shkruan BBC, transmeton kosovalive.net.

“Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Çfarëdo që të ndodhë më pas edhe nëse shtëpia bie ne do të qëndrojmë këtu. Kjo është shtëpia jonë, foleja jonë. Gjithçka që kemi është këtu. Ne nuk do të largohemi”, u shpreh ajo.

Tani për tani, e gjithë familja po jeton në tre çadra vetëm pak hapa larg shtëpisë së tyre të dëmtuar. Ata flenë dhe hanë atje, duke ndarë ushqimin e gatuar në një sobë të vogël kampingu.

Nuk kanë tualet, megjithëse ata e kanë gjetur një banjo diku dhe po përpiqen ta fusin në një kasolle të improvizuar prej druri. Ata madje kanë krijuar një zonë të vogël dushi. Por, mungesa e hapësirës dhe privatësisë është e dukshme. Këto tenda janë të ngushta dhe të mbipopulluara.

Ka qenë një muaj i mundimshëm për Songul. Në tërmet u vranë 17 të afërm të saj, ndërkaq, motrën e ka të zhdukur.

Nuk e dimë nëse është ende nën rrënoja. Nuk e dimë nëse trupi i saj është nxjerrë ende apo jo. Ne jemi duke pritur. Nuk mund të fillojmë zi”, tha ajo.

Ndërkaq, kunati i Songul Husemettin dhe nipi 11-vjeçar Lozan vdiqën kur ndërtesa e tyre e banimit në Iskenderun u shemb derisa ata po flinin.

“Kufomën e Lozanit e sollëm këtu. E morëm nga morgu dhe e varrosëm afër nesh në Samandag”, u shpreh tutje ajo.

Ndërkaq, ajo tregon se kur bie nata, gjërat janë edhe më të vështira, sepse nuk ka rrymë.

“Vendosa disa llamba, ne frikësohemi kur errësohet. Të mos kesh energji është një problem i madh”, u shpreh tutje ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...