Krisja në murin e dhomës së gjumit të Mesut Muttaliboglusë është aq e gjerë, sa mund ta fus edhe veturën aty.
Për atë arsye ai me familje po dalin jashtë banesës ku kanë qëndruar për 15 vitet e fundit. E gjithë ndërtesa është konsideruar e pasigurt pasi dështoi në një test të sigurisë për tërmete. Ka shumë mundësi që një dridhje do ta shembte gjithë bllokun në tokë.
Këtu në Stamboll, frika po rritet.
Dy tërmetet e fuqishme në Turqi që i morën jetën gati 50 mijë njerëzve e kanë kthyer një urgjencë të re te qyteti më i madh. Stambolli strehon 15 milionë njerëz, dhe shtrihet në një zonë ku ekspertët parashikojnë se mund të ndodhin tërmete të mëdha para vitit 2030.
Rreth 70 për qind e ndërtesave të qytetit ishin ndërtuar para kohës kur kërkoheshin strandarde më strikte (1999) dhe konsiderohen potencialisht të pasigurta. Vetëm tre muaj më parë, një studim tha se tërmeti i fortë mund të vriste deri në 90 mijë njerëz. Tash, ka një garë për ta bërë qytetin gati për tërmetin e radhës.
Mesuti e di mirë shkatërrimin që mund ta shkaktojë tërmeti. Ai vetëm sa është kthyer nga epiqendra e tërmetit në qytetin jugor të Kahramanmarasit, ku humbi një pjesë të të afërmve.
Kur ishte kthyer në Stamboll, autoritetet e kishin ndalur rrymën dhe ujin.
Që prej tërmetit në jug, kanë qenë më shumë se 100 mijë aplikacione për t’u bërë verifikimi i sigurisë së ndërtesave në Stamboll. Lista e pritjes për këto verifikime shkon deri në tre muaj, më pas katër, dhe vazhdon të rritet.
Kryetari i qytetit, Ekrem Imamoglu, ka premtuar më shumë trajnime për ekipet e kërkim-shpëtimit dhe strehimore të përkohshme që mund të strehonin deri në 4.5 milionë njerëz menjëherë pas tërmetit. Por, shumë njerëz frikësohen se e gjithë kjo nuk mjafton.