Live

ShSKUK: Pandemia e COVID-19 ka testuar qëndrueshmërinë e sistemeve shëndetësore

22:23 / 13 Mars 2023

Nga Kosova Live

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka kujtuar ditët e para të mobilizimit të përgjithshëm në luftë kundër corona virusit.

“Pandemia e COVID-19, si sfida më e madhe shëndetësore në 100 vjetët e fundit, ka testuar qëndrueshmërinë e sistemeve shëndetësore kudo në botë. 3 vjet më parë, Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ishte mobilizuar, duke vënë në gatishmëri gjithë stafin shëndetësor për t’u përballur me rastet e para të diagnostikuar me Covid-19”, thuhet në komunikatë.

ShSKUK ka kujtuar se më 13 Mars 2023, është pranuar rasti i parë për trajtim në Klinikën Infektive, për të pasuar ditët vijuese me rritje graduale të rasteve.

“Të ndodhur para një Pandemie të panjohur dhe duke vënë në rrezik edhe shëndetin e tyre, punëtorët e ShSKUK-së, mjekë, infermierë dhe staf mbështetës u aktivizuan për të ofruar kujdes dhe mbështje maksimale për pacientët e diagnostikuar. Rastet sa vinin e shtoheshin, përderisa repartet e Klinikës Infektive nuk mjaftuan për të përballuar pacientët që kërkonin trajtim, andaj aktivizohet edhe Mjekim Intensiv për trajtim të rasteve me Covid-19”, thuhet tutje.

“ShSKUK aktivizoi po ashtu, 7 spitalet e përgjithshme të cilat funksionalizuan reparte për të trajtuar pacientë të diagnostikuar me Covid-19. Rritja enorme e rasteve bëri që ShSKUK të rrisë numrin e shtretërve me hapësira të reja, fillimisht në Klinikën e Pulmologjisë, pastaj objektin e Mjekësisë Sportive, Klinikën Interne, por edhe në Klinikën e Pediatrisë, Gjinelologjisë, Neonatologjisë, të cilat aktivizuan reparte për trajtim të rasteve me Covid-19”, ka potencuar më tej ShSKUK.

Në komunikatën e ShSKUK-së po ashtu thuhet se, rritja e numrit të infektuarve preku edhe stafin e mjekëve dhe infermierëve që ishin vija e parë e kontaktit me pacientë, e shumë nga ta sakrifikuan jetën, ku pas infektimit nuk arritën ta mundin virusin duke humbur jetën, por kjo për asnjë moment nuk ndali përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre.

“3 vjet pas rasteve të para, kujtojmë me krenari përkushtimin e mjekëve, infermierëve dhe stafit tjetër që humbën jetën pas infektimit me Covid-19. Menaxhimin e suksesshëm të Covid-19 nga ShSKUK, e vlerësoi lartë edhe raporti i progresit i Këshillit të Evropës, publikuar në vitin 2021. Në mes tjerash, në raport theksohej se autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë arritur progres signifikant në përmirësimin e mbikëqyrjes, hulumimit, gjurmimit të rasteve dhe në menaxhimin e rasteveve me Covid-19. Edhe sot, 3 vjet pas rasteve të para, ShSKUK po vazhdon të trajtojë raste të spitalizuara me Covid-19”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...