Millo Gjukanoviq e ka pasur zakon t’i injorojë kundërshtarët e tij politikë.
Për tri dekada me radhë, një gjë e tillë i ka funksionuar. Duke shërbyer gjashtë herë si kryeministër dhe dy herë si president, 61-vjeçari ka dominuar në mënyrë të jashtëzakonshme politikën e Malit të Zi.
Por, në prag të zgjedhjeve presidenciale të 19 marsit – që janë të parat prej se partitë pro-serbe dhe koalicioni i tyre i përçarë kanë mundur aleatët e tij parlamentarë – sfiduesit e Gjukanoviqit për mandatin pesëvjeçar si president e kanë vëmendjen e tij.
Duke folur në një ngjarje të pak ditëve më parë, ai i ka quajtur ata “sharlatanë”.
Qeveritë, nga fundi i vitit 2020, i kanë “shërbyer” Kishës Ortodokse Serbe dhe “nacionalizmit të shtetit të madh”, ka thënë Gjukanoviq – njëri nga udhëheqësit më jetëgjatë të Evropës.
Gara për të, këtë herë, nuk është e sigurt.
“Kushdo që fiton, do të jetë president i një vendi thellësisht të ndarë dhe do ta ketë pothuajse të pamundur t’i bashkojë të gjithë qytetarët e vendit”, thotë Kenneth Morrison, profesor i historisë moderne të Evropës Juglindore në Universitetin De Montfort të Britanisë, për Radion Evropa e Lirë.
Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviqit – pasardhëse e komunistëve të epokës jugosllave – ka qeverisur vazhdimisht nga viti 1991 deri në vitin 2020, edhe pse është akuzuar për korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar.
I vendosur për ta rrëzuar partinë e Gjukanoviqit, një koalicion i udhëhequr nga grupe pro-serbe, me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe, e ka mundur DPS-në në zgjedhjet e gushtit, 2020.
Fitorja i ka rritur tensionet për identitetin kombëtar malazez dhe kulturën e përbashkët me fqinjin më të madh – Serbinë.
Që atëherë, dy qeveri malazeze janë rrëzuar dhe vendi ka kaluar nga një krizë politike ose institucionale në tjetrën.
Aktualisht, në detyrë është një qeveri teknike. Gjukanoviq e ka shpërndarë Parlamentin më 16 mars, vetëm tri ditë para zgjedhjeve presidenciale.
Paraliza kërcënon t’i njollosë arritjet nën Gjukanoviqin, i cili ka udhëhequr Malin e Zi drejt pavarësisë në vitin 2006, drejt anëtarësimit në NATO më 2017 dhe, me shumë gjasa, drejt anëtarësimit në BE në vitet e ardhshme.
“Unë e shoh atë si një politikan të përkryer, i cili, si Franko Tugjman në Kroaci, para tij, është bekuar me një opozitë të paaftë dhe të ndarë”, ka thënë së voni Patrick Moore, analist për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë në periudhën 1977-2008.
Gjukanoviq ka thënë përmes një deklarate më herët se “shteti dhe shoqëria janë në agoni serioze”.
Problemet institucionale, përkatësisht korrupsioni, gjithmonë e kanë ndërlikuar udhëheqjen e Gjukanoviqit. Millan Jovanoviq, studiues i lartë në Qendrën Digjitale Forenzike (DFC) në Podgoricë, kundërshton idenë se ndarjet në shoqëri kanë lindur papritur.
“Unë mendoj se në 20 vjetët e fundit, Mali i Zi është ngarkuar me korrupsion, partiokraci dhe nepotizëm”, thotë ai.
“Dobësia më e madhe e Qeverisë, gjatë kësaj periudhe 30-vjeçare, ka qenë fakti që nuk i është qasur më me vendosmëri ndërtimit të, le të themi, institucioneve të forta dhe të pavarura”, thotë Jovanoviq.
“Kjo mënyrë e veprimit i është kthyer negativisht Malit të Zi pas ndryshimit të Qeverisë në vitin 2020, dhe aktualisht institucionet në Mal të Zi janë pothuajse inekzistente”, shton ai.
Rreth 30 për qind e njerëzve në Mal të Zi identifikohen si serbë dhe shumë prej tyre e kanë kundërshtuar shpalljen e pavarësisë nga Serbia në vitin 2006.
Më shumë se 70 për qind e popullsisë i falen krahut lokal të Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka një histori të ndërhyrjes në punët e pavarura të Malit të Zi dhe ka udhëhequr opozitën ndaj DPS-së në zgjedhjet e vitit 2020.
Koalicioni jetëshkurtër qeverisës, që ka sjellë në pushtet kryeministrin Zdravko Krivokapiq – serb – në fund të vitit 2020, është drejtuar nga Fronti Demokratik, një aleancë e krahut të djathtë të partive nacionaliste serbe dhe konservatore.
Marija Popoviq Kaleziq nga Qendra për Liritë Civile – një organizatë jofitimprurëse me qendër në Podgoricë – fajëson pjesërisht Gjukanoviqin për nxitjen e ndarjeve etno-nacionaliste.
Ai ka qenë “krijues i narrativave nacionaliste të krahut të djathtë, që kanë çuar në turbulenca sociale dhe politike”, thotë ajo.
Gjukanoviq ka bërë fushatë në garën aktuale si “Presidenti ynë”, duke shfrytëzuar ndjenjat nacionaliste dhe historike.
“Ai mund të përpiqet të bëhet president për të gjithë malazezët, por kjo nuk është lehtësisht e arritshme”, thotë Morrison.
“Në fakt, humbja e Gjukanoviqit mund ta përshpejtojë vdekjen e tij politike”, thotë ai.
Sipas tij, kjo do të ishte një goditje veçanërisht e dhimbshme për një njeri që “ka mbajtur poste të larta politike pothuajse gjatë gjithë jetës së tij dhe ka qenë, me dekada, figura dominuese politike në Mal të Zi”.
Nëse kjo ndodh, shton Morrison, “ai do ta ketë trashëgiminë e tij si të paplotë, marrë parasysh se objektiv i tij kryesor ka qenë ta shohë Malin e Zi anëtar të NATO-s dhe BE-së”.
Shumica e vëzhguesve presin që Gjukanoviq të shkojë në balotazh më 2 prill, për t’u përballur me një nga gjashtë kandidatët e tjerë.
Shumë e konsiderojnë kreun e Demokracisë së Re Serbe dhe kandidatin e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, si një favorit tjetër.
Me nënshtetësi të dyfishtë – gjë e paligjshme sipas ligjit malazez – Mandiq ka pranuar se ka edhe shtetësi serbe në vitin 2011.
Ai është dënuar për pjesëmarrje në një përpjekje të dyshuar për grushtshtet – të mbështetur nga Serbia dhe Rusia – në vitin 2016. Por, Gjykata e Apelit në Mal të Zi e ka rrëzuar më vonë vendimin për fajësinë e tij.
Tani, Mandiq u ka thënë votuesve: “Është detyra ime ta bashkoj Malin e Zi”.
“Ne i ftojmë të gjithë njerëzit e ndershëm që të bashkohen me ne, pavarësisht se për kë kanë votuar më herët”, ka thënë ai.
Gjatë fushatës, simbolet trengjyrëshe dhe të tjera kombëtare serbe, që me vite janë përdorur nga Fronti Demokratik, janë minimizuar ose kanë munguar.
Radoje Ceroviq, një psikolog nga Podgorica dhe komentues politik, e cilëson këtë gjë si pjesë të një strategjie të zgjuar.
“E gjithë fushata [e Mandiqit] është përqendruar rreth një përpjekjeje për t’u distancuar nga e kaluara e tij politike”, thotë Ceroviq.
“Me sloganin ‘Duke ndërtuar të ardhmen, le ta ruajmë traditën’, ai po përpiqet të thotë se ky është edhe Mandiqi, edhe një Mandiq i ri”, shton Ceroviq.
Në mesin e kandidatëve të tjerë të shquar është Jakov Millatoviq nga Evropa Tani – një parti e re që ka dalë në skenë me një shfaqje çuditërisht të fortë në zgjedhjet lokale në Podgoricë, tetorin e kaluar.
Millatoviq, 37 vjeç, ka shërbyer si ministër i Ekonomisë në kabinetin e parë jetëshkurtër, pasi koalicioni anti-Gjukanoviq ka rrëzuar DPS-në në vitin 2020. Ai ka bërë fushatë për vende pune dhe standarde më të mira jetese.
Gjukanoviq dhe Mandiq duket se kanë marrë shënime.
“Marrë parasysh se të dy e kanë sulmuar kandidatin Jakov Millatoviq, është e qartë se ata e konsiderojnë atë si një kërcënim të mundshëm, edhe pse mund të eliminohet në rundin e parë”, thotë Morrison.
Millatoviq ka shprehur besimin se ai mund të arrijë në rundin e dytë dhe më pas t’i tërheqë mbështetësit e ish-koalicionit qeverisës, për të mposhtur Gjukanoviqin ose cilindo tjetër.
“Më në fund, pas 30 vjetësh sundim të një njeriu, Mali i Zi do të shohë përsëri qartë dhe do të kthehet në rrugën e zhvillimit demokratik dhe ekonomik”, u ka thënë Millatoviq mbështetësve të tij.
Në garë për president janë edhe Alleksa Beçiq, ish-kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve; Goran Danilloviq, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar; Draginja Vuksanoviq Stankoviq nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Radulloviq, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në mediat sociale.
Të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale kanë 542.154 qytetarë të Malit të Zi./REL