Edhe pse takimet dypalëshe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me zyrtarët evropianë ka kohë që kanë përfunduar, takimi i përbashkët i tyre nuk ka nisur ende.
REL raporton se nuk ka ende asnjë informacion se kur mund të nisë.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërmjetësues të takimit janë diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit është i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.
SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.