Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka komentuar për herë të parë dorëheqjen e Shqipe Mjekiqit nga pozita e nënkryetares së LDK-së.
Njëra ndër arsyet e dorëheqjes së saj sipas njoftimit të dhënë nga vetë ajo të enjten e kaluar, ishte mungesa e hapësirës së mjaftueshme për të kontribuar brenda kësaj force politike.
Ndërkohë, Abdixhiku tha sonte se Mjekiqi i ka bërë nder LDK-së për aderimin e saj, ndonëse nuk është lajm “që duhet të gëzohemi”, raporton Paparaci.
Deputeti opozitar tha se nuk kanë kuptuar më shumë sesa ajo çfarë është thënë në letrën e dorëheqjes së Mjekiqit nga LDK-ja.
“Unë dorëheqjen e kam kuptuar që është dhënë prej Shqipes atë ditë që bashkë me anëtarë të tjerë të kryesisë. Nuk kemi kuptuar më shumë se ajo letër e dorëheqjes”, tha ai në Klan Kosova.
“Unë kam fjalë të mira për Shqipen, ka ardhur në një kohë të vështirë për LDK-në. Ka bërë punë të mira për LDK-në. Ka pasur hapësirë të mjaftueshme. Hapësira dikur krijohet edhe vetë. Nuk ka njerëz brenda LDK-së që s’kanë mundësi të krijojnë hapësirë”, u shpreh ai.