Live

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë viziton Luginën, flasin për sfidat e shqiptarëve atje

23:30 / 24 Mars 2023

Nga Kosova Live

Një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë ka vizituar Luginën e Preshevës, ku është takuar me përfaqësues politikë e drejtues të institucioneve.

Siç bëhet e ditur në njoftim, KASH është informuar nga mikpritësit për sfidat dhe problematikat nëpër të cilat po kalojnë shqiptarët e Luginës.

“Duke filluar me zbatimin absurd dhe diskriminues të ligjit për pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe burokracirat e panumërta për njohjen e atyre të Shqipërisë, diskriminimin në punësimet në institucionet shtetërore në favor të serbëve, mungesën e vëmendjes dhe investimeve shtetërore, zhvendosjen e gjykatës nga Presheva, etj.”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, bëhet e ditur se të gjitha këto kanë sjell një diskriminim dhe dhunë raciale apo etnike, “veçanërisht ndaj pakicës shqiptare që jeton në trojet e veta, të pashembullt edhe për vete Serbinë, dhe një spastrim etnik modern, sikundër evidentohet edhe nga raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dhe në raportet e studimet e Komitetit të Helsinkit të Serbisë”.

“Përfaqësuesit e Luginës parashtruan edhe një sërë kërkesash dhe vërejtjesh ndaj qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës. Ata kërkuan më shumë vëmendje, sensibilizim të situatës së tyre, trajtim reciprok të të drejtave të tyre me ato të serbëve në Kosovë, përfshirjen e problematikës së shqiptarëve të Luginës në bisedimet Kosovë – Serbi, krijimin e një fondi kombëtar solidariteti të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për investime në Luginë, hapjen e një konsullate të Shqipërisë në Bujanovc”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është shprehur se i aprovon dhe e mirëkupton përshkrimin e gjendjes dhe kërkesat e përfaqësuesve të Luginës, se “gjendja e vështirë vërehej qartazi në terren, dhe ka premtuar se do të angazhohet më të gjitha kapacitetet e veta për të sensibilizuar kancelaritë perëndimore dhe qendrat më të rëndësishme të vendimmarrjeve, por edhe qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për më shumë vëmendje në drejtim të respektimit të drejtave të njeriut, të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për shtimin e investimeve që do të ndërpriste sado pak hemorragjinë e largimit të planifikuar të shqiptarëve nga Lugina, apo siç e ka vlerësuar DASH ‘spastrimin modern etnik’ të Luginës prej shqiptarëve”.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...