Pas mbledhjes në Kryeministri, kreu Edi Rama ka bërë të ditur para gazetarëve planet e qeverisë për ta çuar pagën mesatare në vend në 900 euro.
“Kemi në dorë një plan ambicioz për rritje pagash në harkun kohor 2023-2024. Ky program synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh. Jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve, familjeve. Pas rritjes së pagës minimale, tani mund të shkojmë drejt rritjes së pagës mesatare. Në dy faza, do të kemi një rritje tani, së shpejti për një pjesë, e të shkallëzuar, detajet do t’i diskutojmë pas aktit të miratimit që do të vijë në 10-15 ditët e ardhshme. Do të publikojmë edhe planin e plotë që të gjithë ta dinë se çfarë do të pasojë. Do t’i qëndrojmë premtimit për rritjen e pagës së mjekëve me 7% këtë vit. Pastaj do të kemi një rritje të konsiderueshme në vitin e ardhshëm”, deklaroi Rama ndër të tjera.
I pyetur nga gazetarët, kreu i qeverisë shpjegoi se rritja e pagave në shtet do të sjellë një efekt domino për rritjen e pagave edhe në sektorin privat. Pasi siç u shpreh ai, sektori privat do t’i duhet të japë një ofertë më të mirë për të rekrutuar krah pune.
“Do duhet të rrisë pagat, ose nuk do të marrë dot forcë pune. Shteti do të bëhet konkurrent.”
Ndërsa, sa i përket pensionistëve, Rama tha se ata muajin që vjen bashkë me pensionin do të marrin edhe një shumë prej 5 mijë lekësh.
“Pensionistëve u themi se zotimin për të shpërndarë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë do ta mbajmë”, shtoi ai.