Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet ta mbyllin këtë çështje dhe patjetër që Serbia ta njohë Kosovën.
Rama ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë kundër shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi.
Rama këtë deklaratë e ka bërë në emisionin “Real Story” pikërisht në ditën kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka emëruar si të dërguar për dialogun ambasadorin e SHBA’së në Gjermani, Richard Grenell.
Ai deklaroi se nuk është as për ndarje të Kosovës dhe as për ndryshim kufijsh, kurse akuzoi opozitën se ajo vetëm nxin me ato që deklaron për Kosovën.
“Të gjitha historitë që gjoja se unë do ta ndaj Kosovën janë përralla që bëhen këtu për të përhapur urrejtje. Kosova dhe Mali i Zi sot kanë marrëdhënie shumë të mira. Këtu kemi një sërë protagonistësh që janë gati ta fusin në hell Shqipërinë, Kosovën vetëm që ta nxijnë. Kosova dhe Serbia duhet ta mbyllin këtë çështje dhe patjetër që Serbia ta njohë Kosovën. Unë jam kundër shkëmbimit të territorit dhe jo kufi me vija etnike. Kancelarja Merkel kishte keqkuptime nga këta dhe Merkelin e kam sqaruar për idetë e mia dhe ajo më tha se është dakord. SHBA-ja dhe BE-ja janë bashkë kundër shkëmbimit të territoreve”, tha Rama në intervistë me gazetarin Sokol Balla.