Qeveria e Kosovës ka ndarë 142 mijë euro për mbajtjen në Prishtinë të Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga prestigjiozja “The Economist”.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin global të sukseseve të Kosovës.
“Mbajtja e kësaj konference në Prishtinë e organizuar nga organizata prestigjioze “The Economist”, me pjesëmarrjen e mysafirëve të huaj të rëndësishëm dhe me ekspozim mbarëbotëror përmes platformave sociale të “The Economist” është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin global të sukseseve të Kosovës. Kjo ngjarje kontribuon në rritjen ndërkombëtare të imazhit të vendit tonë, duke theksuar përparimet tona në fusha të ndryshme dhe duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe investime. Mjetet buxhetore propozohet të ndahen në shumë prej 142 mijë euro. Mjetet ndahen nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit, nga nënnprogrami për promovim të vendit”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.