Para ardhjes në Kosovë emisari special i Presidentit Trump që është edhe ambasador i SHBA’së në Berlin bashkë me emisarin tjetër amerikan për Ballkanin Mathew Palmer është parë në një fotografi me zyrtarë gjermanë të Ministrisë së Jashtme. Gazeta Express ka pyetur në Berlin rreth diskutimit të tyre, por zyrtarët atje kanë thënë se s’mund të japin detaje.
Besnik VELIU
Dialogu Kosovë-Serbi të cilën po përpiqen ta rinisin amerikanët ka bërë që Matthew Palmer e Richard Grenell të takohen dje me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Gjermani, një ditë para se Grenell të udhëtonte në Kosovë.
Aktualisht analistë që i njohin rrethanat në Ballkan po thonë se Grenell mund të tentojë ta bind Berlinin rigjid për ndryshimin e kufijve si pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi, por amerikanët dhe gjermanët nuk janë duke dhënë hollësi se çfarë është duke u biseduar.
Lidhur me takimin e djeshëm në Berlin, Gazeta Express, ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, për t’i pyetur nëse janë koordinuar sa i përket asaj se si do të duhet të gjendet një zgjidhje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe rreth asaj nëse kanë qëndrim të përbashkët sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve.
Në përgjigjen e kësaj ministrie për Express kanë thënë se nuk mund të ndajnë detaje nga ajo se çfarë është biseduar në atë takim, por thotë se Qeveria Gjermane është në koordinim të vazhdueshëm dhe bashkëpunon shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një sërë çështjesh.
“Qeveria Gjermane në vazhdimësi shkëmben pikëpamje dhe bashkëpunon ngushtë me Administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një gamë të gjerë çështjes. Ne nuk mund të komentojmë në thelb dhe në detaje diskutime të tilla”, thuhet në këtë përgjigje.
Për takimin ka postuar edhe ambasada gjermane në Berlin.
Përfaqësuesi special i presidentit për negociatat paqësore Serbi e Kosovë Ambasadori Grenell dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor duke diskutuar për situatën në rajon me diplomacinë gjermane” thuhet në mbishkrimin e fotos së publikuar në Twitter ku shihen dy diplomatët me zyrtarin e MPJ’së Gjermane.
E pas këtij takimi në Gjermani, Richard Grenell, ka zbarkuar sot në Prishtinë ku ka takuar fillimisht në presidencë, Hashim Thaçin, dhe më pas në Ambasadën e SHBA’së të gjithë liderët e partive politike.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e peridentit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me këtë takim, Grenell citohej që të ketë thënë se shpreson në rikthim sa më të shpejtë të Kosovës dhe Serbisë në dialogun për normalizim të raporteve.
Ka folur më pas edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett, i cili ka thënë se Grenell me padurim po pretë që të fillojë punën me presidentin Thaçi dhe me liderët tjerë në Kosovë për të sjellë paqe dhe prosperitet në rajon.
Ambasadori amerikan gjithashtu kishte paralajmëruar se në Kosovë do të vijë edhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer. Ndërsa ende nuk dihet nëse Grenell do të vizitojë edhe Serbinë gjatë këtij qëndrimi në rajon.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania e Franca janë të interesuara që të përmbyllin në mënyrë paqësore procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nismat e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe te presidentit të Francës, Emanuel Macron, për të rinisur dialogun , të cilat gjithmonë ishin në bashkërendim me SHBA’të, u zbehën për shkak të mos ndryshimit të pozicioneve të Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj ishte kokëfortë e nuk zmbrapsej për taksën, ndërkohë Vuçiq thoshte që nuk rikthehej në dialog përderisa nuk hiqet taksa.
Ky mos ndryshim i qëndrimeve ishte edhe një prej arsyeve të dështimit të Samitit të Parisit që ishte planifikuar të mbahej më 1 korrik 2019.
Si rrjedhojë dialogu ka hyrë në një bllokadë pothuajse 1 vjeçare, e një gjë e tillë ka shtyrë SHBA’në që të avancojë angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor e veçanërisht në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.