Sara Danius, gruaja e parë që drejtoi Akademinë suedeze të Shkencave, akademi kjo që jep edhe çmimin Nobel në Letërsi, humbi jetën në moshën 57-vjeçare, deklaroi sot akademia dhe familja e saj.
Danius u zgjodh pjesë e akademisë në vitin 2013, dhe dy vjet më vonë u bë gruaja e parë që drejtoi akademinë, që nga viti 1786.
“Gjithçka që ajo bëri, karakterizohej nga një forcë dhe shkëlqim i rrallë”, deklaroi akademia.
Sekretari i përhershëm shërben si zëdhënës dhe bën shpalljen vjetore të zgjedhjes së akademisë për fituesin e çmimit Nobel në Letërsi.
Njoftimi i tillë i fundit i saj, ishte në vitin 2017, kur akademia përzgjodhi autorin britanik, Kazuo Ishiguro.
Danius u tërhoq si sekretare e përhershme, në prill të vitit 2018, mes një skandali seksual dhe pretendimesh për shkelje të rregullave të konfliktit të interesit që rezultuan në një përçarje të thellë midis anëtarëve të akademisë.
Anëtarët e akademisë zgjidhen për gjithë jetën. Një rezultat i krizës së vitit 2018 ishte që statutet nga viti 1786, u rishikuan, duke lejuar që anëtarët të largoheshin. Danius dha dorëheqjen nga akademia në muajin shkurt.
Gjatë viteve 1980, ajo punoi si kritike në të përditshmen “Dagens Nyheter”, përpara se të përqendrohej në një karrierë akademike, përfshirë këtu studimet në Britaninë e Madhe, Francë dhe SHBA.
Teza e saj e doktoraturës në vitin 1998, kishte në qendër modernizmin dhe teknologjinë si dhe estetikën moderniste.
Danius u emërua profesoreshë e Letërsisë në Universitetin e Stokholmit në vitin 2013. Në vitin 2014 ajo deklaroi publikisht se kishte kancer të gjirit.
Për shkak të grindjes së vitit 2018, akademia shtyu çmimin e Letërsisë.
Autorja polake, Olga Tokarczuk, u shpall të enjten, fituesja e vitit 2018, ndërsa Peter Handke, i Austrisë, u zgjodh për çmimin e vitit 2019.