Që vende si Gjermania dhe Franca kanë qendrime krejt të ndryshme lidhur me hapjen e procesit të negociatave për antarësim mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë duket se nuk e shqetëson Parisin. Franca do ta bllokojë hapjen e planifikuar të bisedimeve me dy vendet e Ballkanit – Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – për antarësimin e tyre në BE.
Qeveria në Paris i konsideron të pamjaftueshme hapat ndërmarra në këto dy vende, u shprehën të premten (11.10) në Bruksel disa diplomatë. Gjithashtu Franca kërkon një reformim thelbësor të procesit të antarësimit si kusht për të dhënë miratimin e saj.
Kritikohet ndër të tjera, që procesi i antarësimit është mjaft teknik dhe në rast të zhvillimeve problematike mund të ndalet me shumë vështirësi. Me veton e saj Franca del edhe kundër Gjermanisë, që bashkë me shumë shtete të tjera të BE-së është angazhuar për bisedimet e antarësimit. Qeveria gjermane i referohet vlerësimit të Komisionit të BE-së, që këto vende i kanë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave dhe se Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u janë premtuar bisedimet.
Në fakt fillimi i bisedimeve të antarësimit do të duhej të vendosej të martën e ardhshme (15.10) në takimin e ministrave të BE-së në Luksemburg. Por rezistenca e një vendi mjafton për ta penguar këtë. Në radhë të parë për Maqedoninë e Veriut një bllokim do të ishte i hidhur, sepse vendi me rreth 2,1 milionë banorë nisur nga perspektiva për bisedimet e antarësimit pranoi ndryshimin e emrit në Maqedonia e Veriut. Qeveria greke e pati kërkuar këtë, sepse edhe krahina veriore e Greqisë mban të njëjtin emër dhe druhej për pretendime eventuale territoriale.
Greqia ia doli të imponohet, sepse miratimi i bisedimeve të antarësimit në BE duhet të pranohet njëzëri nga të gjitha vendet anëtare. Ky vend e pati kushtëzuar pranimin për ndryshimin e emrit me shpresat për afrimin në BE. Si rrjedhojë shumë shtete e shohin me habi dhe nuk e kuptojnë veton e Francës.
Një diplomat, sikurse njofton agjencia e lajmeve DPA të premten (11.10) tha, se “kush bllokon tani procesin e antarësimit mban përgjegjësi për ndonjë destabilizim të mundshëm në fqinjësinë tonë”.
Një numër i madh shtetesh të BE-së ishin angazhaur për bisedimet e antarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shansi i fundit për këto bisedime mbetet tani një takim i planifikuar për të dielën (13.10) mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron. /DW