Live

Dosja e dy fajdexhinjve të familjes Kryeziu në Prizren: Zbulohet si fituan mijëra euro me kamata mujore

21:16 / 27 Mars 2025

Nga Kosova Live

Aksioni i Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, i zhvilluar të mërkurën, ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për fajde dhe detyrim. Të arrestuarit janë dërguar në ndalim, ndërsa ndaj tyre është ushtruar kërkesë për masën e paraburgimit.

Kosovalive raportoi ekskluzivisht se të dyshuarit e arrestuar janë Eduard Kryeziu (rreth 29 vjeç) dhe Bekim Kryeziu (rreth 51 vjeç).

Me zbatimin e masave të veçanta të hetimit dhe vëzhgimit, Policia dhe Prokuroria kanë realizuar kontrolle në rajonin e Prizrenit, ku kanë arrestuar dy të dyshuarit.

Dosja e rastit

Sipas Prokurorisë, dy të dyshuarit dyshohet se nga shkurti i vitit 2021 e në vazhdimësi, kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale në këmbim të shërbimit për viktimën E.G., duke shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë financiare dhe paaftësinë për të kuptuar pasojat. Ata i kanë dhënë viktimës para me kamata të paligjshme, të cilat janë rritur vazhdimisht sa herë që viktima nuk ka mundur të shlyejë borxhin.

Në periudhën shkurt 2021 – shkurt 2025, viktima ka paguar kamata mujore prej 1,650 eurosh, duke arritur një total prej mbi 25,000 euro.

Më 18 mars 2025, Eduard Kryeziu i ka dërguar viktimës një mesazh duke i kërkuar 13,650 euro ose, në të kundërtën, ta bartte banesën e tij te noteri në emër të të dyshuarit.

Më 26 mars 2025, ata janë takuar në një lokal në Prizren, ku pas bisedimeve për borxhet, të dyshuarit kanë marrë nga viktima 10,000 euro, moment në të cilin ka ndërhyrë Policia dhe i ka arrestuar.

Sipas dosjes hetimore, Bekim Kryeziu, “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vehte përdorë forcën duke detyruar të dëmtuarin E.G., të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi nuk ka qenë në gjendje për ta realizuar kthimin e borxhit që ka rezultuar nga dhënia e fajdesë, në mënyrë të dhunshme ia merr automatin Golf VII, ia heq nga dora orën të dëmtuarit në vlerën prej 1300 € (një mijë e treqindë euro) si dhe e kërcënon se nëse nuk paguan borxhin dhe kamatat e lartcekura do të shkojnë tek noteri për ta bartur banesën e të dëmtuarit në posedim të tij. Me këto veprime, kryen veprën penale “Detyrimi” sipas KPRK-së.”

Eduard Kryeziu, ndërkaq, dyshohet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur:

  • 1 pistoletë me 13 fishekë
  • 1 pushkë ajrore me një fishek
  • 42 fishekë të pistoletës 9×19 mm
  • 1 karikator i zbrazët

Gjatë ekzekutimit të urdhrit për kontroll në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, Policia ka sekuestruar:

  • 24,700 euro para të gatshme
  • 1 pistoletë me 13 fishekë
  • 1 automjet “Mercedes C 2024”
  • 42 fishekë dhe 1 karikator të zbrazët
  • 1 pushkë ajrore

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua