Live

Kurioziteti nga Vatikani: Cila është ushtria që ka i vetëm 135 luftëtarë? (VIDEO)

21:46 / 28 Prill 2025

Nga Kosova Live

Ishin aty, për papën, edhe në ditën e tij të fundit përsëgjalli në këtë botë.

Atë nuk e lanë vetëm, as kur vdiq.

I qëndruan pranë në shtëpinë ku qëndroi, pasi dha shpirt.

E shoqëruan trupin e Franceskos edhe kur ai ndenji 3 ditë në bazilikën e shën pjetrit.

Nuk e lanë pa u kujdesur për të as kur u nis për në vendin ku do të qëndrojë përgjithmonë.

Papën po e ruajnë, të paktën këto ditë, edhe te varri i tij, në bazilikën e Shën Mërisë, jashtë Vatikanit.

Kurrkush tjetër pos këtyre ushtarëve, gjithmonë të veshur me këtë uniformë unike me ngjyrat kuq, kaltër e mbylltë dhe e verdhë, nuk ka të drejtë ta mbrojë kreun e Vatikanit. Kur mikro shteti fetar katolik mbetet pa papë, ata marrin përsipër edhe sigurinë e kolegjit të kardinalëve, deri në zgjedhjen e pontifit të ri.

Ushtria e njohur si Garda zvicerane e ka bërë këtë punë qe 500 vjet. Është themeluar në vitin 1506 nga Papa Julius i dytë, kur ky zgjodhi për herë të parë një grup prej 150 gardianëve për ta mbrojtur. Të gjithë ishin mercenarë zviceranë. Bashkëkombasit e tyre i trashëguan në këtë formacion, deri tashti.

Ushtria më e vjetër në botë, e quajtur shpesh edhe më misteriozja dhe më e vogla, nuk numëron më tepër se 135 veta. Asnjëri nga ta nuk është më i shkurtë se 1 metër e 74 centimetra, me i vjetër se 30, e më i ri se 19 vjet.

Ata duhet të jenë djem të pamartuar dhe katolikë të devotshëm, të lindur në Zvicër. Këtu duhet ta kenë të kryer trajnimin bazik me forcat e armatosura të këtij vendi, por që më pas stërviten në Vatikan, ku betohen ta mbrojnë fenë e tyre dhe atin e shenjtë. Kur ta kryejnë këtë pjesë të ushtrimeve, qëndrojnë në shërbim obligativ të papës për 2 vjet e dy muaj. Në këtë kohë e marrin edhe shtetësinë e Vatikanit.

Arma më e dukshme e ushtarëve të gardës zvicerane është halbardi, një kombinim i shtizës me sëpatën, por ata kanë edhe armë të vogla zjarri.

Pos si forcë e armatosur një njësi e sigurisë mbrojtëse, ata janë edhe gardë nderi për vizitorë të lartë që i vijën mysafirë papës.

Shpërndaje në

U Kopjua