Live

Afrikanët e parë të bardhë shkojnë në SHBA sipas planit të Trumpit për refugjatët

14:06 / 12 Maj 2025

Nga Kosova Live

Një grup prej 49 qytetarësh të bardhë nga Afrika e Jugut u nisën të hënën drejt Shteteve të Bashkuara pasi iu dha statusi i refugjatit, nën një program të ofruar nga presidenti amerikan Donald Trump, që po ndez tensione mes dy shteteve.

Ndërsa administrata amerikane ka bllokuar pranimin e shumicës së refugjatëve me ngjyrë nga pjesë të tjera të botës, ajo po përparëson afrikanerët, pasardhës të kolonëve kryesisht holandezë.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta në Afrikën e Jugut. Autoritetet atje e kanë quajtur të pabazuar dhënien e këtij statusi, duke theksuar se SHBA po përzihet në çështje të brendshme që nuk i kupton, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Ministri i Jashtëm Ronald Lamola deklaroi të hënën se “nuk ka të dhëna që tregojnë se afrikanerët e bardhë përballen me persekutim.” Ai theksoi se krimi në vend prek të gjithë, pa dallim race.

Avioni çarter që u nis nga Johannesburg pritet të zbresë në aeroportin ndërkombëtar të Washington Dulles. Pas mbërritjes, refugjatët do të shpërndahen në shtete të ndryshme amerikane si Minnesota, Idaho dhe Alabama.

Vendimi i SHBA-së vjen në një moment delikat për Afrikën e Jugut, ku debatet mbi tokën dhe pabarazitë ekonomike kanë polarizuar qeverinë. Pavarësisht përpjekjeve për reformë pas apartheidit, të bardhët ende zotërojnë rreth 75% të tokës private dhe kanë 20 herë më shumë pasuri sesa shumica e zezë.

Ndërkohë që papunësia në mesin e të bardhëve është më pak se 10%, ajo kalon një të tretën në komunitetin e zi. Megjithatë, narrativi për “diskriminim të të bardhëve” është përhapur në qarqe të djathta, përfshirë edhe nga Elon Musk, një përkrahës i njohur i kësaj ideje.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka nënshkruar një ligj këtë vit që lehtëson shtetëzimin e tokës për qëllime publike – një nismë që ka ngjallur shqetësim në disa komunitete të bardha, edhe pse ende nuk ka pasur konfiskime zyrtare.

Shpërndaje në

U Kopjua