Live

Shkup: Reshjet e shiut, shtohet frika për përmbytje

21:34 / 07 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Përmbytjet e një dite më parë në rajonin e Shkupit nxorën në sipërfaqe mungesën e sistemeve të duhura të kanalizimeve atmosferike.

Uji bartte me vete të gjitha mbeturinat që gjente për tokë.

Rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut për një kohë shumë të shkurtër u shndërruan në lumenj, ndërsa shumë vetura u ngujuan dhe nuk mund të lëviznin.

Disa të tjera, shfrytëzonin trotuaret për të kaluar.

Ndërkohë Qendra për Menaxhim me Kriza ka njoftuar për dëme të shumta në terren.

“Në më shumë lokacione janë evidentuar dëme materiale, rrugë të vërshuara, pemë të rrëzuara dhe pengesa të shumta në komunikacion. Nuk ka paraqitje për persona të lënduar”, tha Qendra për Menaxhim me Kriza.

Janë evidentuar dëme materiale, rrugë të vërshuara, pemë të rrëzuara e pengesa në komunikacion. Këto pamje, ka mundësi që t’i shohim përsëri ditëve në vijim. Nga Enti Hidro Meteorologjik paralajmërojnë mot jo të qëndrueshëm edhe sonte por edhe ditëve të tjera.

“Mot me diell dhe shumë i ngrohtë, me vranësira lokale dhe me paraqitje të izoluar të vranësirave dhe me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fortë. Nga e hëna, moti do të jetë me diell dhe me vranësira mesatare. Do të fryjë erë nga veriu, ndërsa temperaturat ditore do të ulen për 3 deri në 5 gradë. Do të ketë kushte për shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima”, thonë nga Enti Hidrometeorologjik.

Kjo verë sipas paralajmërimeve do të ketë stuhi të shpeshta dhe temperatura jashtëzakonisht të larta. Pritshmëritë janë që sivjet kontinenti evropian të përballet me një verë të jashtëzakonshme, më të nxehtë, më të thatë dhe potencialisht më ekstreme, veçanërisht gjatë muajve korrik dhe gusht.

Shpërndaje në

U Kopjua