Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke e akuzuar për përfshirje në korrupsion të thellë, keqqeverisje dhe për kapje të institucioneve të sektorit energjetik.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bajrami e ka quajtur “mafi energjetike” sistemin aktual të menaxhimit të energjisë në Kosovë, duke theksuar se institucione si ZRrE, KOSTT dhe KEK janë të mbushura me familjarë dhe militantë partiakë. Ajo ka ngritur shqetësime për rritjen e varësisë nga importi i energjisë, që sipas saj po përfiton kompanitë ndërmjetëse, përfshirë EFT-në e Vuk Hamoviqit dhe GEN-in, të cilën e lidh me ambasadorin Martin Berishaj.
“Albin Kurti dhe partia e tij janë thellë në këtë rrjet të korrupsionit energjetik. Po mbushin xhepat e tregtarëve të energjisë ndërsa e kanë shkatërruar sektorin privat dhe po dëmtojnë rëndë interesat e qytetarëve,” shkruan Bajrami.
Ajo ka akuzuar gjithashtu kryeministrin për dhënie të mijëra tenderëve njëburimor dhe për procese të prokurimit të dyshimta, përfshirë negociata në grupe private të komunikimit. Po ashtu, Bajrami ka përmendur lidhje të mundshme të Kurtit dhe bashkëpunëtorëve të tij me individë të përfshirë në trafik droge.
Në qendër të kritikës ishte edhe qasja e qeverisë ndaj situatës në veri të vendit.
Bajrami vlerëson se retorika patriotike nuk mund të fshehë dështimet konkrete në terren dhe se, sipas saj, kthimi i zyrtarëve serbë në institucionet e Kosovës është çështje kohe.
“Kosova ka humbur pesë vjet kohë nën qeverisjen tënde. Ke sjellë masa ndëshkuese nga BE-ja dhe e ke dëmtuar rëndë përkrahjen e aleatëve tanë më të rëndësishëm,” shkruan Bajrami.
Në përmbyllje të reagimit të saj, deputetja kërkon hetim të thelluar për të gjithë ata që, sipas saj, kanë shkelur Kushtetutën dhe kanë përdorur pushtetin për përfitime personale.
“Nëse institucionet e drejtësisë dhe sigurisë funksionojnë, atëherë duhet të ndalojnë hyrjen në ndërtesën e Qeverisë nga ata që janë në shkelje të Kushtetutës,” përfundon ajo.
Postimi i plotë:
Mafia energjetike, korrupsioni dhe kapja e shtetit nuk lahen me patriotizëm të rrejshëm dhe flamur kuq e zi.
Albin Kurti dhe partia e tij janë përfshirë thellë në mafinë e energjetike. Institucionet si ZRrE, KOSTT, KEK e të tjera janë të kapura nga familjarë dhe militantë partiakë. Si rezultat çdo ditë e më shumë po rritet varësia nga importi, duke i fryrë xhepat e EFT-së së Vuk Hamoviqit dhe GEN-it, kompani kjo që i paguan miliona euro ambasadorit të Albin Kurtit – Martin Berishaj, si dhe kompanive të tjera fiktive si NOA.
Albin Kurti bart damkën e mbi 2,100 tenderëve njëburimor, përfshirë tenderë që jepen e negociohen në grupe WhatsApp-i. Ai vetë dhe njerëzit e tij janë fotografuar me dilerë të drogës. Ai e ka futur vendin në masa ndëshkuese nga BE-ja, ndërsa përpiqet të mbulojë dështimet e tij me retorikë boshe patriotike për katër komunat veriore, për sigurinë e të cilave garanton KFOR-i.
Përfshirja në mafinë energjetike, në korrupsion dhe lidhjet e tij me njerëz që merren me drogë nuk pastrohen me flamur kuq e zi dhe as me tregime fiktive për veriun.
Krejt e dimë çka ka ndodhur në veri.
Në emër të normalizimit të situatës një ditë, jo larg, atje do të kthehen në punë policët, prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët e administratës që janë dorëhequr. E kur kjo të ndodhë ne ktheheni në kohën kur kryenegociatore ishte Edita Tahiri apo jo? Kjo do të thotë që i ke humbur Kosovës 5 vjet kohë, e ke futur vendin nën sanksione dhe i ke humbur Kosovës gjënë me të çmuar, përkrahjen aleatëve tanë më të rëndësishëm. KY ËSHTË ”REZULTATI” YT NË VERI, ASNJË TJETËR
Edhe një herë po ta them mjaft me nacionalizma e patriotizma të rrejshëm! Ke kapur çdo institucion dhe të gjitha po kundërmojnë nga korrupsioni, sepse po punojnë për interesa të ngushta – për tregtarë të energjisë duke dëmtuar rëndë sektorin privat dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.
Për fund, nëse me të vertetë kemi institucione të drejtësisë dhe sigurisë, ata që nesër duhet ta ndalojnë hyrjen në ndërtesën e qeverisë sepse je në shkelje të vazhdushme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për me tepër ti Albin, kabineti yt dhe të gjithë ata që ke përreth duhet të hetoheni deri në detaje për dëmin që i keni bërë vendit duke punuar për interesa të ngushta e përfitime personale.
Një shtet s’duhet t’i dorëzohet një njeriu. Mjaft!