Policia e Shqipërisë ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 53”, është arrestuar Elis Roga, 46-vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma.
Ai dyshohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike, vepra për të cilat Gjykata e Romës ka lëshuar urdhër-arrest, ndërsa në Kodin Penal italian parashikohet dënim deri në 20 vjet burgim.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Ambasadën Italiane dhe Projektin I-CAN.
Ndaj Rogës kanë nisur procedurat ligjore për ekstradimin në Itali, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane.