Live

Netanyahu humb shumicën në parlament, bëhet qeveri e pakicës

19:13 / 16 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Koalicioni i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në Izrael humbi shumicën pasi partia Shas u largua, duke e lënë atë me më pak se 61 anëtarë të Knessetit dhe duke e kthyer në një qeveri pakice.

Megjithatë, Shas nuk ka ndërmend të mbështesë një votë mosbesimi ose shpërndarjen e parlamentit, gjë që do të komplikonte edhe më shumë situatën politike.

Për më tepër, një tjetër parti ultra-ortodokse, United Torah Judaism, njoftoi se do të largohej gjithashtu nga koalicioni qeverisës për shkak të një mosmarrëveshjeje të gjatë mbi dështimin për të hartuar një projektligj që do të përjashtonte studentët e yeshiva-s nga shërbimi ushtarak, shkruan timesofisrael.

Kjo çështje ka qenë prej kohësh një pikë kontesti në politikën izraelite, pasi komunitetet ultra-ortodokse kërkojnë trajtim të veçantë për studentët e tyre fetarë.

Megjithatë, teknikisht koalicioni mund të vazhdojë të funksionojë deri në përfundim të pushimeve të Knessetit në fund të tetorit, por me numërimin aktual të anëtarëve dhe largimet e fundit, qeveria Netanyahu është në një pozicion jashtëzakonisht të brishtë dhe në rrezik të lartë për rrëzim ose krizë të mëtejshme politike.

Ndryshe, parlamenti izraelit përbëhet nga 120 deputetë. Ky numër ka mbetur i pandryshuar që nga themelimi i shtetit në vitin 1948, pavarësisht rritjes së popullsisë së vendit. Knesset është përgjegjës për legjislacionin, miratimin e buxhetit, formimin e qeverisë dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së saj.

Anëtarët e Knessetit zgjidhen çdo katër vjet përmes një sistemi proporcional, ku partive u jepen vende në përpjesëtim me numrin e votave që marrin.

Në zgjedhjet e fundit të vitit 2022, koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu fitoi shumicën me 64 vende, duke përfshirë partinë e tij Likud me 32 deputetë.

Shpërndaje në

U Kopjua