Ish-deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka filluar që nga dje detyrën e tij të re në Tiranë, si ambasador i Kosovës.
Hasani ishte propozuar për këtë post pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, kur dhe vendi po shkonte drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Propozimi për Hasanin ishte bërë më 19 gusht të këtij viti, ndërsa intervisitimi i tij ishte bërë dy ditë më pas.
Vetëm tri ditë pas propozimit që Hasani të bëhet ambasador i Kosovës në Tiranë, në seancë të jashtëzakonshme Kuvendi i Kosovës u shpërnda duke çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Me konsideratën më të lartë për punën tuaj dhe komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, pas pajtimit me Kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe marrjes së pëlqimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ju dërgoj në besim emrin e kandidatit Z. Nait Hasani, me qëllim të vijimit të procedurave për emërimin e tij në pozitën e Shefit të Misionit/Ambasadorit në Republikën e Shqipërisë”, thuhej në letrën e propozuar për Hasanin ambasador.
Në ndërkohë, Hasani përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se dita e djeshme ka qenë dita e parë e tij si ambasador në Tiranë.
“Dita e parë, sot në Tiranë si Ambasador i Kosovës në Shqipëri, pranë shtatores së Adem Jasharit”, ka shkruar ai.